Një delegacion nga Kolegji AAB realizoi një vizitë në Banka Qendrore e Republikës së Kosovës me synim forcimin e bashkëpunimit institucional ndërmjet arsimit të lartë dhe sektorit financiar. Në këtë vizitë morën pjesë zëvendësrektori i Kolegjit AAB, Prof. Dr. Ilir Bytyçi, Dekani i Fakultetit Ekonomik, Prof. Dr. Xhavit Ismaili, si dhe Jehona Rukovci nga Zyra e Karrierës.
Gjatë takimit u diskutuan mundësitë për krijimin e një kornize bashkëpunimi që synon përfshirjen e studentëve në praktika profesionale në departamentet e BQK-së, organizimin e aktiviteteve të përbashkëta akademike dhe profesionale si konferenca, tryeza diskutimi dhe ligjërata publike, si dhe kontributin profesional të ekspertëve të BQK-së në zhvillimin dhe avancimin e programeve studimore.
Bashkëpunimi pritet të shtrihet edhe në fushën e kërkimit shkencor, publikimeve akademike dhe edukimit financiar, duke krijuar mundësi të reja për zhvillimin profesional të studentëve dhe lidhjen më të fortë mes akademisë dhe sektorit financiar.
