Në ambientet e Kolegjit AAB është bërë lansimi i projektit “Legal Education on Gender Equality in the EU: Integrating EU Frameworks into Law Curriculum (EU LEG)”, nga koordinatorja e projektit Ganimete Ismajli, e cila prezantoi objektivat dhe aktivitetet e kësaj nisme.
LEG-EU është projekt i financuar nga Erasmus+ Jean Monnet Actions, dhe përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt fuqizimit të barazisë gjinore nëpermjet edukimit dhe harmonizimin me standardet e Bashkimit Evropian.
Ky projekt u hap me fjalë hyrëse nga rektori i Kolegjit AAB Blerim Olluri, i cili foli për rolin e institucionit në zhvillimin e shoqërisë, dhe se si projekte të tilla kanë rol të rëndësishëm në këtë process.
“Në Kolegjin AAB, ne besojmë se ky është misioni ynë: të mos jemi vetëm transmetues të dijes, por kontribues aktiv në zhvillimin e shoqërisë. Projekte si ky dëshmojnë se institucioni duhet dhe mund të jetë një aktor i rëndësishëm në këtë proces jo vetëm duke edukuar, por edhe ndikuar, hapur debate dhe ofruar zgjidhje konkrete”.
Mimika Dobroshi nga Zyra Erasmus+ në Kosovë tregoi për rolin e programeve evropiane në zhvillimin e kapaciteteve akademike dhe promovimin e barazisë gjinore.
Dekanja e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, Aida Alla, dekani i Fakultetit Juridik, Mentor Lecaj, si dhe profesoresha Uranela Demaj, folën për rolin e projektit në promovimin e gjuhës si reflektim i një shoqërie të barabartë dhe rolin e fakulteteve përkatëse në implementimin e projektit.
Në pjesën e diskutimeve me institucionet pjesëmarrëse, Laura Pula nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit dhe Mirjeta Shala gjyqtare në Gjykatën Themelore në Gjakovë, trajtuan çështjen e barazisë gjinore në sistemin e drejtësisë, me fokus të veçantë dhunën në familje.
Në kontekstin e standardeve ndërkombëtare, Biljana Nastovska nga OSBE në Kosovë, tregoi praktikat dhe kornizat ndërkombëtare për avancimin e barazisë gjinore.
Në ceremoninë lansuese ishin të pranishme edhe: Znj. Fatmire Kollcaku nga Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Punë, Familje, Vlerat e Luftës Çlirimtare dhe Peticione; Znj. Adelina Berisha, Drejtoreshë e Programit për Adresimin e Dhunës me Bazë Gjinore, Rrjeti i Grave të Kosovës; Znj. Ilirjana Matoshi Agushi, Udhëheqëse e Departamentit të Burimeve Njerëzore në PriBank.
Nga Zyra e Projekteve në Kolegjin AAB drejtoresha Ilirjana Geci dhe zyrtarja Arta Musollaj theksuan rëndësinë e menaxhimit dhe implementimit të projekteve ndërkombëtare.
Në fund të kësaj ngjarje, u theksua se projekti do të vazhdojë me aktivitete të tjera në kuadër të integrimit të barazisë gjinore në arsim dhe avancimit të praktikave në përputhje me standardet evropiane.


