Fakulteti Ekonomik oganizon tryezën “Gratë që ndërtuan edukimin ekonomik në Kosovë”

9 Mars 2026

Në kuadër të shënimit të 7 Marsit, Ditës së Mësuesit dhe 8 Marsit, Ditës Ndërkombëtare të Gruas, Fakulteti Ekonomik i Kolegjit AAB organizoi një aktivitet të veçantë kushtuar rolit të grave në ndërtimin dhe zhvillimin e edukimit ekonomik dhe biznesor në Kosovë.

Ngjarja shërbeu si një moment reflektimi mbi rrugëtimin historik të grave që kanë kontribuar në formimin e arsimit ekonomik në vend, duke theksuar se zhvillimi i këtij sektori nuk ka qenë vetëm rezultat i progresit institucional, por edhe i përkushtimit dhe vizionit të shumë grave që kanë ndërtuar breza të tërë profesionistësh në ekonomi dhe biznes.

Nëpërmjet diskutimeve dhe reflektimeve të ndara gjatë aktivitetit, u theksua se edukimi ekonomik dhe biznesor ka qenë një ndër faktorët më të rëndësishëm në procesin e emancipimit socio-ekonomik të grave në Kosovë.

Përmes kësaj ngjarjeje, Fakulteti Ekonomik i Kolegjit AAB rikonfirmoi përkushtimin e tij për të promovuar një kulturë akademike që vlerëson kontributin e grave në zhvillimin e dijes ekonomike dhe për të mbështetur fuqizimin e gjeneratave të reja të studenteve që do të kontribuojnë në ekonominë dhe shoqërinë e së ardhmes.

Share: