Fakulteti Ekonomik pjesëmarrës në tryezën ndërkombëtare në Shkup

4 Qershor 2026

Fakulteti Ekonomik i Kolegjit AAB u përfaqësua në një tryezë të rrumbullakët ndërkombëtare të organizuar nga International Balkan University, Shkup.

Tryeza u zhvillua me temën “Bridging AI, Green Transition, and Higher Education: Preparing Skills for a Sustainable Future”, duke mbledhur profesorë dhe ekspertë ndërkombëtarë për të diskutuar ndikimin e inteligjencës artificiale dhe tranzicionit të gjelbër në arsimin e lartë dhe tregun e punës.

Në këtë aktivitet, Dekani i Fakultetit Ekonomik të Kolegjit AAB, Prof. Asst. Dr. Xhavit Islami, i shoqëruar nga Prof. Assoc. Dr. Besime Ziberi, morën pjesë si panelistë, duke kontribuar në diskutime akademike me fokus në zhvillimet bashkëkohore të tregut të punës.

Gjatë diskutimeve, Prof. Asst. Dr. Xhavit Islami trajtoi temën “Artificial Intelligence and Employee Creativity”, duke analizuar ndikimin e inteligjencës artificiale në kreativitetin e punonjësve dhe rëndësinë e zhvillimit të praktikave organizative që nxisin inovacionin në mjedise pune të mbështetura nga teknologjia.

Ndërkaq, Prof. Assoc. Dr. Besime Ziberi prezantoi temën “A New Labor Market Order: AI, Digitalization and the Green Transition in the Western Balkans”, duke trajtuar ndikimin e digjitalizimit, inteligjencës artificiale dhe tranzicionit të gjelbër në strukturën e tregut të punës, si dhe sfidat dhe mundësitë për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Pjesëmarrja në këtë aktivitet ndërkombëtar dëshmon angazhimin e vazhdueshëm të Fakultetit Ekonomik të Kolegjit AAB për të kontribuar në debatet akademike dhe për të forcuar bashkëpunimin ndërkombëtar në fushën e ekonomisë, teknologjisë dhe zhvillimit të qëndrueshëm.

Share: