Kolegji AAB mban aktivitetin për informimin gjatë luftës dhe pasojat psikologjike

23 Mars 2026

Fakulteti i Psikologjisë ka organizuar aktivitetin ndërkombëtar “Informimi, trauma dhe psikologjia njerëzore”, i moderuar nga profesoresha Donika Shahini-Lami. Aktiviteti u zhvillua me pjesëmarrjen e diplomatëve ndërkombëtarë dhe mbi 100 studentëve vendorë dhe ndërkombëtarë, përfshirë studentë nga MCC – Transilvania, Rumani.

Ngjarja u hap me fjalët përshëndetëse të Rektorit të Kolegjit AAB, Blerim Olluri, i cili theksoi rëndësinë e dokumentimit të së vërtetës historike dhe rolin e institucioneve akademike në ruajtjen e kujtesës kolektive.

Ai vlerësoi kontributin e profesionistëve që kanë raportuar dhe dokumentuar luftën në Kosovë, duke përfshirë angazhimin e Prof. Donika Shahini-Lami si gazetare gjatë konfliktit.

Dekanja e Fakultetit të Psikologjisë, Arvesa Studenica, foli mbi nevojën e trajtimit profesional dhe shoqëror të traumës psikologjike, duke theksuar se pasojat e luftës nuk janë vetëm fizike, por edhe psikologjike.

Aktiviteti përfshiu dy panele diskutimi: Paneli i parë, me temën “Informimi gjatë luftës dhe ndikimi psikologjik i dëshmisë”, mblodhi gazetarë dhe profesionistë ndërkombëtarë. Panelistë ishin gazetari veteran Julius Strauss, producenti i dokumentarit “Return to Kosovo”, Donald Harding, dhe Leman Kamberi Muriqi, përkthyese e gazetarëve ndërkombëtarë gjatë luftës dhe producente ekzekutive e dokumentarit.

Diskutimet u fokusuan në përvojën e raportimit nga konflikti, përgjegjësinë e mediave dhe peshën psikologjike të dëshmisë së vërtetës, ndërsa paneli u udhëhoq nga prof. Donika Shahini – Lami.

Pjesë e aktivitetit ishte edhe shfaqja e dokumentarit “Return to Kosovo”, i cili sjell historinë e gazetarit Julius Strauss dhe të mbijetuarit të masakrës së Abrisë së Epërme, Besnik Deliu, duke paraqitur takimin e tyre gjatë luftës dhe ritakimin pas më shumë se dy dekadash, me fokus në kujtesën historike dhe proceset e përballimit të traumës.

Paneli i dytë, “Trauma, kujtesa dhe rrugët e shërimit”, i udhëhequr nga Prof. Arlinda Gashi, përfshiu rrëfime të drejtpërdrejta nga të mbijetuar të luftës. Panelistë ishin Besnik Deliu dhe Arlinda Deliu (Abri e Epërme) dhe Leutrim Caraku (Poklek), të cilët ndanë përvojat e tyre mbi pasojat psikologjike dhe procesin e shërimit. Diskutimet theksuan rëndësinë e dokumentimit të së vërtetës dhe ruajtjes së kujtesës kolektive për brezat e ardhshëm.

Ky aktivitet konfirmoi rëndësinë e edukimit akademik mbi traumën, kujtesën historike dhe rolin e informimit në mbështetjen e proceseve të shërimit shoqëror dhe individual.

Share: