Në kuadër të përgatitjeve për aplikim, hulumtuesit shkencorë të Kolegjit AAB kanë qenë të angazhuar në hartimin e materialeve për pjesëmarrje në Konferencën Evropiane për Kërkim në Arsim (ECER 2026), e cila do të mbahet në Tampere, Finlandë. Ky aktivitet, i zhvilluar në kuadër të projektit EDU-LAB, pasqyron bashkëpunimin e ngushtë profesional, koordinimin akademik dhe përkushtimin e ekipit në përgatitjen e kontributeve shkencore për një ngjarje me rëndësi të veçantë në nivel evropian.
Angazhimi i ekipit është finalizuar me rezultate konkrete. Nga aplikimi është pranuar simpoziumi me titull: “Qeverisja e tranzicioneve të të rinjve evropianë përmes arsimit dhe drejt tregut të punës: sfida të politikave dhe dëshmi të hershme nga projekti Horizon Europe EDU-LAB”, i udhëhequr nga Prof. Xhavit Rexhaj, i cili përfshin punime nga Gjermania, nga Prof. Dr. Theodor Leiber, i cili përfaqëson Agjencinë e Vlerësimit të Baden-Württemberg (Evalag); nga Austria, nga Dr. Alexander Chvorostov, i cili përfaqëson Institutin Kërkimor Economica; nga Finlanda, nga hulumtuesja shkencore Sini Teräsahde, e cila përfaqëson Universitetin e Tampere-s; si dhe nga Kosova. Në kuadër të këtij simpoziumi, nga Kosova është pranuar punimi me titull: “Përcaktuesit socio-ekonomikë dhe ndikimi i investimeve prindërore në performancën arsimore të fëmijëve: një studim mikroekonomik në Kosovë”, me autorë profesorët Arbëresha Qerimi, Xhavit Rexhaj, Fidan Qerimi, Gresa Shaqiri dhe Ingrid Schoon.
Përveç këtij suksesi, në ECER 2026 janë pranuar edhe dy punime tjera. Punimi i Prof. Arbërore Bicaj, me titull: “Aspiratat arsimore dhe realitetet institucionale: një analizë e përputhjes dhe mospërputhjes në rrugëtimet e të rinjve”, është realizuar në bashkautorësi me profesorët Erëza Mehmeti, Gresa Shaqiri, Jeton Brajshori dhe Etleva Namligjiu. Po ashtu, është pranuar edhe punimi i Prof. Arta Musollaj, me titull: “Faktorët socialë dhe institucionalë që ndikojnë në tranzicionin nga arsimi i mesëm i ulët në arsimin e mesëm të lartë në Kosovë”, në bashkautorësi me Erëza Mehmeti, Gresa Shaqiri, Vrullim Buja dhe Flaka Jonuzi.
Pranimi i këtyre punimeve përfaqëson një arritje të rëndësishme për Kolegjin AAB dhe dëshmon se puna ekipore, angazhimi akademik dhe përfshirja aktive në projektin EDU-LAB po japin rezultate konkrete edhe në skenën ndërkombëtare të kërkimit shkencor.

