Fakulteti i Psikologjisë mbledh fonde për fëmijët me autizëm përmes një aktiviteti të veçantë

3 Prill 2026

Fakulteti i Psikologjisë në Kolegjin AAB organizoi me sukses shfaqjen e filmit “A Beautiful Mind”, e cila u mbajt në Teatrin Kamertal, me pjesëmarrjen e studentëve dhe të interesuarve të shumtë.

Ky aktivitet kishte për qëllim jo vetëm ofrimin e një përvoje artistike dhe edukative, por edhe ngritjen e vetëdijes për rëndësinë e shëndetit mendor. Pas shfaqjes së filmit, u zhvillua një diskutim interaktiv mbi mënyrën se si portretizohen çrregullimet psikologjike në kinematografi, si dhe mbi rëndësinë e trajtimit dhe mirëkuptimit të tyre në shoqëri.

Ngjarja kishte gjithashtu karakter humanitar, pasi u organizua me qëllim mbështetjen e Shoqatës Autizmi përmes mbledhjes së fondeve, duke nxitur solidaritetin dhe angazhimin e komunitetit në kauza të rëndësishme shoqërore.

Ky aktivitet dëshmon përkushtimin e Fakultetit të Psikologjisë në promovimin e shëndetit mendor dhe në organizimin e iniciativave që ndërthurin edukimin, artin dhe përgjegjësinë sociale.

Share: