Kolegji AAB do të financojë dy projekte studentore për semestrin veror 2025/2026

26 Maj 2026

Kolegji AAB do të mbështesë financiarisht dy projekte studentore të përzgjedhura për semestrin veror 2025/2026.

Projektet e përzgjedhura janë: “Peace of mind: paqja fillon nga mendja” dhe “Përkthim simultan në kohë reale për gjuhë të ndryshme”.

Kontratat u nënshkruan nga Prorektori për Financa, Prof. Ass. Dr. Gëzim Shabani, dhe studentët e projekteve: Blerta Ademi nga Fakulteti i Psikologjisë dhe Vlera Murati nga Fakulteti i Shkencave Kompjuterike.

Projektet janë përzgjedhur nga një komision profesional që ka vlerësuar idetë me potencial për të sjellë ndikim pozitiv në komunitet, për të avancuar njohuritë praktike të studentëve dhe për të nxitur bashkëpunimin ndërdisiplinor.

Gjatë zbatimit, studentët do të mbështeten nga profesorët Ardian Sallauka dhe Engin Melekoglu, të cilët do të ofrojnë udhëzime profesionale për të siguruar realizimin me sukses të iniciativave studentore.

Zyra e Projekteve do të monitorojë nga afër ecurinë e projekteve dhe do të ofrojë mbështetje të vazhdueshme gjatë gjithë procesit të implementimit.

Share: