Ndikimi i masave anti-COVID 19 në ekonominë e Republikës së Kosovës

Prishtinë: 03.07.2021 - 03.07.2021

Pandemia Covid 2019 ka ndikuar shumë në kufizimin e ekonomisë botërore. Kjo dukuri ka prodhuar dhe vazhdon të prodhojë efektet e veta në ekonominë botërore që nga viti 2019, dhe varësisht nga faza e pandemisë, ashtu janë edhe efektet e saj në ekonomi. Kuptohet faza më e rëndë nga e cila rrjedhin edhe pasojat tjera është ajo e mbylljes totale të popullsisë dhe se distanca social po shkakton distancim ekonomik. Kjo nënkupton që kur njerëzit kufizohen të shkojnë për blerje të veshmbathjeve, restoranteve, teatrove, lojërave sportive të ndryshme, panaireve, shëtitjeve turistike, kufizojnë aktivitetet ekonomike, e që nënkupton e kufizojnë edhe multiplikimin e parasë. 

Ekonomistët nga e mbarë bota, përfshirë organizatat e mëdha ndërkombëtare si Organizata Botërore e Tregtisë pastaj Fondi Monetar Ndërkombëtar, i shohin dhe konsiderojnë që efektet negative ekonomike nga pandemia të jenë shumë më të mëdha se ato të krizës globale të 2008-të, gjersa krahasohen me efektet ekonomike të vitit 1930 gjatë Depresionit të Madh. Tkurrjet tregtare botërore sipas Organizatës Botërore Tregtare llogariten të jenë deri në 31%.

Ekonomia bashkëkohore paraqitet si më komplekse se ekonomitë e më hershme, ku ndërhyrja e qeverisë në marrëdhëniet mes ofertës dhe kërkesës është më e intensifikuar dhe çdo implikim në ekonomi ka efekte në tërë zinxhirin mes agjentëve ekonomikë. Konsumatori që paraqitet si agjenti kryesor në zinxhirin e funksionimit të tregtisë, në kushtet e kësaj pandemie, është në panik dhe pa siguri, dhe e vetmja zgjidhje dhe reagim që konsumatori e bënë në këto kushte është kufizimi i blerjeve, gjë e cila shkakton rënien e konsumit. 

Sektori privat po ashtu i ndikuar nga rritja e çmimeve të lëndës së parë dhe nga ulja e konsumit, do të reagojnë me ulje të ofertës. Izolimi në tërësi i popullatës dhe kufizimet e lëvizjeve, kanë bërë që ky sektor të përjetoj shok dhe se asnjë ekonomi në botë nuk i ka shpëtuar këtij recesioni sidomos vendet e pa zhvilluara siç është edhe Kosova. Çështja është se si të identifikohen kanalet nga të cilat rrjedh apo thellohet më së shumti recesioni dhe ato kanale duhen ventiluar me “oksigjen” ashtu sikurse organizimi për të mbijetuar. 

Sektori bankar nga ana tjetër për të mos u ekspozuar shumë në rrezikun e kredive joperformuese do të kufizojnë dhe ashpërsojnë kriteret e kredi dhënies gjë e cila e kufizon mundësinë e investimeve në sektorin privat, gjë që do të ndikojë që bizneset private të prolongojnë dhe anulojnë të gjitha investimet e planifikuara gjatë periudhës së pandemisë.

Rimëkëmbja ekonomike është çështje emergjente. Janë dy lloje politikash nga të cilat edhe duhen dalë masat kryesore për ta rimëkëmbur ekonominë. Politika monetare që udhëhiqet nga Banka Qendrore do të duhej të furnizojë tregun me para, duke i mbështetur më pas edhe nga politika fiskale duke ua lehtësuar punën sektorit privat dhe duke i stimuluar ato me politika ekspansioniste. 

Këto çështje paraqesin disa nga tematikat që do të diskutohen në këtë konferencë studentore ku do të shpalosen këndvështrime të ndryshme të studentëve nga vende të ndryshme të Ballkanit Perëndimor për efektet ekonomike të pandemisë Covid 19 si dhe politikat e ndryshme të ndërmarra dhe që duhet ndërmarrë për të rimëkëmbur ekonominë. 

Kemi kënaqësinë të ftojmë studentët e nivelit master nga të gjitha institucionet akademike në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni e Veriut dhe më gjerë në rajon, për të kontribuar në këtë konferencë duke u bazuar dhe fokusuar në temat e kësaj konference. 

 

Qëllimi kryesor i organizimit të Konferencës Shkencore Studentore është që të pasqyrojë ndikimin e masave anti COVID 19 në ekonominë e Republikës së Kosovës dhe masat që do të duhet të ndërmerren për të rimëkëmbur ekonominë. Kjo konferencë në mes tjerash do të analizojë dhe vlerësojë, politikat/vendimet e miratuara nga qeveria lidhur me masat anti COVID 19 dhe si ato kanë ndikuar në ekonominë e vendit, duke përfshirë: të hyrat/shpenzimet publike dhe private, performancën e bizneseve, nivelin e punësimit/papunësisë, etj.. 

Konferenca do të trajtojë tematikat si: 

  • “Ndikimi i pandemisë Covid19 në të bërit biznes”
  • Ndikimi i pandemisë Covid19 në tregun e punës”
  • Ndikimi i pandemisë Covid19 në indikatorët makroekonomik”
  • Ndikimi i pandemisë Covid19 në sjelljen konsumatore”

Këto tema do të trajtojnë problematika të cilat janë projektuar  vetëm për studentët pjesëmarrës në Konferencë përfshirë:

  • Analizë të gjendjes aktuale të bizneseve
  • Analizimi i masave të strategjisë për rimëkëmbjen ekonomike
  • Analizë e politikave pasive të tregut të punës në Kosovë ndër vite
  • Interpretimi i kritereve për përfitimin e asistencës për të papunët – Qasje analitike/krahasimore
  • Analizë e punësimit të subvencionuar në Kosovë
  • Mbështetja financiare sipërmarrëse në rastin e Kosovës
  • Analiza e indikatorëve makroekonomikë  
  • Zbatimi i marrëveshjeve kontraktuale të punësimeve në perspektivën  e punonjësve të sektorit privat
  • Tendencat e normës së papunësisë së të rinjve në Kosovë 
  • Papunësia e të diplomuarve universitarë – vullnetarë apo e detyruar
  • Roli i mikro-kredive në industrinë moderne financiare
  • Roli i E- bankingut në shoqëri
  • Politika fiskale dhe monetare në Kosovë
  • Çfarë strategjie aplikon Enti i punësimit në Kosovë për aktivizimin e të papunëve me diplomë universitare
  • Procesi i rekrutimit – sfidë apo avantazh për bizneset moderne
  • Faktori njeri – burim me kosto të lartë i ndërmarrjeve në ekonominë e bazuar në dije
  • NVM- të punëdhënësi më i madh në Kosovë
  • Strategjitë zhvillimore të Ndërmarrjeve të vogla dhe të Mesme në Kosovë

Tipi: Konferencë studentore

Organizator:

Kolegji AAB

MËNYRAT E PJESËMARRJES

Prezantimi në kampus (Kolegji AAB)

Prezantim online (google-meet) për pjesëmarrësit që jetojnë jashtë Kosovës

DATA TË RËNDËSISHME

1 Afati i dorëzimit të abstrakteve: 10 qershor 2021 (e hënë)
2 Përgjigjet për pranimin e abstrakte: 15 qershor 2021 ( e shtunë)
3 Programi i konferencës: 30 qershor 2021 (e mërkurë)
4 Data e konferencës 03 korrik 2021 (e shtunë)

FORMATI I PUNIMIT

Abstrakti duhet të përmbajë 200-250 fjalë (pa referenca) dhe të paraqesë temën, objektivat, të dhënat, metodat dhe rezultatet. Pjesëmarrësit mund të paraqesin abstraktin e tyre në anglisht ose shqip.

Punimi i plotë duhet të jetë i shkruar në anglisht ose shqip, dhe të mos jetë më i gjatë se 6000 fjalë (përfshirë referencat). Punimi duhet të përfshijë katër nënndarje kryesore, përkatësisht abstraktin, titullin, metodologjinë, rezultatet, diskutimin dhe përfundimin. 

Stili i shënimeve të përputhet me udhëzimet e stilit APA (https://thesis-journal.net/instructions-for-authors/#APA-Style).

SHËNIM

Pjesëmarrësit do të pajisen me një Certifikatë pjesëmarrjeje.
Abstraktet e pranuara do të botohen në “Librin e abstrakteve” të konferencës me ISBN. 

Punimet e plota do t’ i nënshtrohen vlerësimit nga anëtarët e Komitetit Shkencor të Konferencës. Punimet që do të pranohen për botim do të botohen në “Book of Proceedings” të konferencës (ISBN). 

Ju mirëpresim në Kolegjin AAB!

Ju lutem shpërndani thirrjen për aplikim te kolegët tuaj!

KOMITETET E KONFERENCËS

KOMITETI SHKENCOR I KONFERENCËS: 

  1. Dr.sc Medain Hashani, Dekan në Fakultetin Ekonomik, Kolegji AAB
  2. Prof.ass.dr Kosovare Ukshini, Prodekane në Fakultetin Ekonomik, Kolegji AAB
  3. Prof.ass.dr Shaip Bytyqi, Profesor në Fakultetin Ekonomik, Kolegji AAB
  4. Prof.ass.dr Donat Rexha, Profesor në Fakultetin Ekonomik, Kolegji AAB
  5. Prof.ass.dr Besime Ziberi, Profesor në Fakultetin Ekonomik, Kolegji AAB
  6. Prof.ass.dr Shkumbin Misini, Profesor në Fakultetin Ekonomik, Kolegji AAB
  7. Prof.ass.dr Nakije Kida, Profesor në Fakultetin Ekonomik, Kolegji AAB
  8. Dr.sc Fidan Qerimi, Profesor në Fakultetin Ekonomik, Kolegji AAB

 

KOMITETI ORGANIZATIV I KONFERENCËS:

  1. Dr.sc Roberta Bajrami, Koordinatore për sigurim të cilësisë 
  2. Dr.sc Adelina Gashi, Koordinatore për studentë 
  3. Dr.sc Vrullim Buja, Profesor në Fakultetin Ekonomik, Kolegji AAB
  4. Dr.sc Arbëresha Behluli, Profesor në Fakultetin Ekonomik, Kolegji AAB
  5. Phd.C Rifat Haxhija, Profesor në Fakultetin Ekonomik, Kolegji AAB

 

VENDI I KONFERENCËS

Kolegji AAB, Ndërtesa #6,
Zona Industriale, Prishtine – Fushë Kosovë, 10000 Prishtine,
Republika e Kosovës

Kontakti: [email protected]

INFORMATAT SHTESË

TITULLI I PUNIMIT, MUNDËSISHT JO MË SHUMË SE 12-13 FJALË

Titulli, Emër e Mbiemër
Institucioni XY, vendi
email: [email protected]

 

ABSTRAKT 
Abstrakti është kryesisht një paragraf i vetëm i cili përmbledh çështjet thelbësore të një studimi,  në 150-200 fjalë. Rekomandohet që abstrakti të përmbajë shkurtimisht: 

  1. Hyrje-përshkrim i shkurtër i sfondit të kërkimit; 
  2. Qëllimet: përshkrim i shkurtër çfarë dëshironi të arrini; 
  3. Metodat/procedurat; 
  4. Rezultatet/gjetjet; 
  5. Përfundime/implikime. 

Të gjitha këto në një tekst harmonik – koherent. 

Fjalë kyç (shembull): Pandemia Covid 19, rritje ekonomike, blerjet online, biznese. (5-6 fjalë kyç)