Programi Shëndet Mendor në nivelin Master, adreson kërkesat e studentëve për të zgjeruar më tutje njohuritë dhe zhvilluar aftësitë dhe shkathtësitë në fushën e shëndetit mendor dhe psikologjisë klinike. Vazhdimi i ofrimit të programit nё nivelin Master ofron mundësi për të formuar kuadro të psikologëve të shëndetit mendor të cilët shërbejnë në përmirësimin e gjendjes së shëndetit mendor të qytetarëve të Kosovës, duke dhënë kontributin e tyre në plotësimin e boshllëkut ekzistues në këtë fushë.
Programi Master në Shëndetin Mendor është i dizajnuar për të pajisur profesionistët me njohuritë, shkathtësitë dhe vlerat e nevojshme për të kontribuar në mënyrë efektive në fushën e tyre, duke respektuar diversitetin, parimet etike dhe drejtësinë shoqërore. Studentët aftësohen të ofrojnë ndërhyrje të bazuara në prova shkencore dhe të nxisin bashkëpunim ndërdisiplinor, duke adresuar sfidat komplekse të shëndetit mendor në një kontekst shoqëror të karakterizuar nga përvoja të luftës dhe tranzicione të mëdha politike, sociale dhe ekonomike.
Përmes qasjes me studentin nё qendёr, përvojave të mësimit praktik dhe fokusit të veçantë në kompetencën kulturore, si dhe përmes angazhimit në aktivitetet kërkimore, studentët dhe të diplomuarit kontribuojnë në ofrimin e shërbimeve efektive dhe të ndjeshme ndaj kontekstit kulturor, promovojnë mirëqenien mendore dhe ndërmarrin veprime për përmirësime të qëndrueshme në sistemin shëndetësor dhe atë komunitar.
Misioni i programit Master Shëndet Mendor është “të pajisë studentët me njohuri të avancuara akademike dhe praktike në fushën e shëndetit mendor të cilët janë të aftë të ofrojnë shërbime të bazuara në evidencë, duke respektuar sensitivitetin kulturor dhe drejtësinë sociale dhe të cilët i kontribuojnë përmirësimit të mirëqenies së shoqërisë në Kosovë”.
Pas përfundimit të suksesshëm të programit MSc Shëndet Mendor, studentët do të përvetësojnë këto njohuri, shkathtësi dhe kompetenca:
Njohuri:
Shkathtësi:
Kompetenca:
Sipas nenit 6 të Rregullores, studimet Master kanë të drejtë t’i regjistrojnë të gjithë ata kandidatë të cilët i kanë përfunduar studimet themelore Bachelor dhe që kanë fituar së paku 180 ECTS, përkatësish 240 ECTS. Tutje, kushtet për pranim në studimet Master janë:
Në rast se studimet paraprake studenti i ka kryer në ndonjë fushë tjetër, studenti obligohet t’i nënshtrohet provimeve themelore të programit bachelor Psikologji të cilat quhen provime diferenciale.
Numri i vendeve për studim sipas vendimit të AKA-së është 60 studentë për vit akademik.
Në bazë të Rregullores për Studime Master të Kolegjit AAB, njohja e kualifikimeve dhe transferi i studimeve rregullohen nga Nenet 9, 10, 11.
Këto nene përcaktojnë kushtet, kriteret dhe procedurat për pranimin e studentëve nga institucione të tjera të arsimit të lartë, mënyrën e realizimit të transferimit, si dhe procesin e njohjes dhe barazvlerësimit të lëndëve të studiuara më parë.
Studimet në programin MSc Shëndet Mendor zgjasin 2 vite, 120 ECTS me gjithsej 4 semestra.
Me rastin e përfundimit të studimeve, studentët fitojnë thirrjen akademike Master i Shkencave (MSc) në Shëndetin Mendor.
Programi i studimit Shëndet Mendor supozohet se i përmbushë interesat e atyre që dëshirojnë të ndërmarrin një program rigoroz të studimit që çon në përmbushjen e kriterit bazik për licencim si psikolog klinik.
Studentët të cilët do të përfundojnë nivelin Master në Shëndet Mendor, përveç se do të mund të punojnë si psikolog klinik të licencuar, të diplomuarit e këtij programi do të mund të japin kontributin e tyre shumë të nevojshëm në:
Rezultatet e të nxënit nё programin MSc Shëndet Mendor vlerësohen nëpërmjet provimeve me shkrim ose testeve në klasë, rasteve të studimit, punimeve seminarike, detyrave individuale, rishikimit të artikujve shkencor, prezantimeve me gojë, punës praktike, disertacionit final, etj.
Meqenëse programi i studimit është i nivelit Master, metodat e përdorura për të vlerësuar performancën e studentëve janë krijuar për të vlerësuar specifikisht sa vijon: aftësitë e kërkimit dhe rishikimit të literaturës, përpunimi i të dhënave, aplikimi i metodave hulumtues, njohuritë kompjuterike, aftësia për të kontekstualizuar dhe vlerësuar, aftësitë e prezantimit dhe profesionalizmi, bashkëpunimi dhe puna në grup.
BRAKTISJA E STUDIMEVE <10% PUNËSUESHMËRIA E STUDENTËVE >90% SUKSESI I STUDENTËVE NË PROVIME 9.0
Studentët e Kolegjit AAB, bazuar në Statutin dhe Rregulloren e Studimeve MA, gëzojnë të drejtën të marrin pjesë në ligjërata dhe aktivitete akademike, të përdorin shërbimet universitare si biblioteka dhe interneti, të përfaqësohen në organet e studentëve, të organizohen në shoqata jo-politike, të pajisen me dokumente zyrtare studentore dhe, pas përfundimit të studimeve, të marrin diplomën përkatëse. Studentët kanë të drejtë të paraqesin ankesa dhe kërkesa lidhur me çdo aspekt të procesit mësimor, vlerësimit apo çdo çështje tjetër që konsiderojnë se u pengon zhvillimin e tyre akademik dhe mirëqenien gjatë studimeve në kolegj.
Në Kolegjin AAB, studenti është akter i barabartë i cili përfshihet në hartimin, zbatimin dhe vlerësimin e proceseve të sigurimit të cilësisë. Studentët janë pjesëmarrës aktiv në çdo grup punues apo punëtori në të cilën diskutohet politik bërja, planifikimi strategjik dhe vendimmarrja. Në veçanti, studenti merr pjesë në procedurat e sigurimit të cilësisë përmes:
Kjo lëndë synon të thellojë njohuritë mbi çrregullimet kryesore mendore, duke përfshirë karakteristikat kryesore të simptomatologjisë, shkaktarët, diagnostifikimin, faktorët mbajtës, përshpejtues dhe përcipitues. Lënda synon të aftësojë studentët në përdorimin e formave kryesore të trajtimit të çrregullimeve mendore, si dhe t’i inkurajojë ata të shqyrtojnë hulumtime në fushën e psikopatologjisë.
Kjo lëndë synon të pajisë studentët me aftësitë e vëzhgimit në kontekste të ndryshme dhe të avancojë njohuritë e tyre në integrimin e observimit në planin e intervenimit duke e përshtatur me nevojat e klientit. Lënda synon të njoftojë studentët me parimet themelore mbi vëzhgimin klinik të mirëfillt, t’i përgatis ata për zbatimin e vëzhgimit klinik në praktikën e shëndetit mendor.
Kjo lëndë synon të zhvillojë aftësitë e studentëve për ruajtjen e marrëdhënies terapeutike, duke i njoftuar me konceptet kyçe si aleanca punuese, transferenca, marrëdhënia reale dhe vetëdija personale në procesin terapeutik. Studentët do të aftësohen të planifikojnë, zbatojnë dhe reflektojnë mbi ndërhyrjet terapeutike, duke zhvilluar teknika të lehtësimit dhe udhëheqjes profesionale.
Kjo lëndë ofron bazat teorike, procedurale dhe teologjike të terapisë familjare. Studentët do të njihen me zhvillimin historik të fushës, qasjet kryesore terapeutike dhe rolin e terapistit në proces. Synon të forcojë aftësitë praktike të studentëve në vlerësimin dhe trajtimin e dinamikave familjare, përmes teknikave të ndryshme sistemike.
Kjo lëndë i përgatit studentët për punën me fëmijë dhe adoleshentë, duke njohur metodat e këshillimit dhe trajtimin e çrregullimeve si ankthi, ADHD dhe problemet sjellore. Kursi thekson ndërhyrjet në situata krize dhe specifikat e punës me fëmijë në kushte të ndryshme sociale dhe shëndetësore.
Në këtë lëndë, studentët pritet të përforcojnë njohuritë e tyre të marra në Psikopatologjia 1 dhe të mund të aplikojnë ato në kontekstin e hulumtimit, identifikimit të rasteve, konceptualizimit, si dhe perspektivave ndaj trajtimit. Studentët do të njoftohen me llojet e çrregullimeve psikopatologjike dhe do të aftësohen në evidentimin e rasteve.
Qëllimi i këtij Praktikumi është që të pajisë studentët me shkathtësi mbi format e testimit, intervistimit dhe vlerësimit psikologjik. Studentët do të njoftohen me instrumentet kryesore vlerësuese, do të aftësohen në diagnostifikimin e çrregullimeve të ndryshme mendore dhe përdorimin e parimeve etike gjatë punës me klientë.
Ky kurs ofron njohuri teorike dhe praktike mbi higjienën mendore, duke trajtuar faktorët që ndikojnë në mirëqenien psikologjike. Studentët zhvillojnë aftësi për menaxhimin e stresit, promovimin e reziliencës, aplikimin e strategjive parandaluese dhe ndërhyrjeve terapeutike për ruajtjen dhe përmirësimin e shëndetit mendor.
Kjo lëndë është një hyrje në neuropsikologjinë klinike, që përfshinë nivelin anatomik, funksional dhe kongnitiv si dhe bazamentet tjera të sjelljes njerëzore dhe çrregullimeve neuropsikologjike. Studentët do të njoftohen me anatominë dhe fiziologjinë e psikopatologjive të ndryshme dhe do të inkurajohen të përdorin metodat kryesore për hulumtime në këtë fushë.
Kjo lëndë ka për qëllim të njoftoj studentët me bazat themelore të metodave kërkimore të përdorura në fushën e psikologjisë klinike dhe mjekësisë, t’i aftësojë ata në identifikimin dhe zbatimin e këtyre metodave, si dhe në përkthimin dhe integrimin e gjetjeve shkencore në praktikën e tyre profesionale si psikologë klinikë.
Ky kurs synon të pajisë studentët me aftësitë këshilluese dhe komunikimi terapeutik, përmes roleve praktike. Kursi synon të përgatisë studentët për përdorimin e teknikave të nevojshme për reflektime të mirëfillta individuale dhe grupore, si dhe të aftësoj ata për të punuar në profesionin e këshillimit.
Kjo lëndë eksploron principet themelore të terapisë njohëse-sjellore (CBT). Synon t’u ofrojë studentëve njohuri mbi konceptualizimin e rasteve sipas qasjes CBT, të familjarizojë ata me formatin e një seance standarde dhe me teknikat kryesore të terapisë, si dhe t’i përgatisë për zbatimin praktik të këtyre njohurive në rolin e psikologut.
Kjo lëndë synon t’i përgatisë studentët për të përballuar çështje etike sensitive në praktikën terapeutike, t’i pajisë ata me njohuri mbi referimin dhe mbikëqyrjen profesionale, t’i njoftojë me standardet etike në psikologji, dhe t’i aftësojë në zbatimin e tyre gjatë punës intervenuese, parandaluese dhe hulumtuese.
Kjo lëndë ofron një të kuptuar gjithëpërfshirës të shëndetit mendor përmes modelit bio-psiko-social, duke përfshirë faktorët biologjikë, psikologjikë dhe socialë. Studentët do të njihen me faktorët ndikues në shëndetin mendor, do të inkurajohen të ndjekin zhvillimet bashkëkohore në fushë dhe të zhvillojnë mendim kritik.
Ky kurs synon t’i pajisë studentët me shkathtësi praktike për konceptualizimin e rasteve, vetë-vetëdijshmërinë, dhe dokumentimin gjatë vlerësimit e trajtimit. Thekson rolin e terapistit eklektik, komunikimin profesional, prezantimin e rasteve, përballjen me ankthin terapeutik dhe nxit zhvillimin profesional përmes literaturës dhe trajnimeve.
Studenti zgjedh një temë dhe mbikëqyrës brenda fushës së specializimit dhe projektesh ekzistuese kërkimore. Procesi përfshin zhvillimin e pyetjes kërkimore, hartimin e propozimit, mbledhjen dhe analizën e të dhënave, si dhe përgatitjen e tezës finale, nën mbikëqyrje të vazhdueshme akademike dhe në përputhje me standardet kërkimore të programit.