ARSIMIMI DHE TREGU I PUNËS
Shkruan: prof. dr. Lulzim Tafa- Rektor i Kolegjit AAB
Njëra ndër çështjet më të rëndësishme në jetën e njeriut padyshim se është edhe zgjedhja e profesionit. Për të pasur një profesion, duhet pasur një kualifikim. Për të pasur një kualifikim duhet zgjedhur një shkollë – Universitet. Shtrohet pyetja se çka e determinon përcaktimin për profesionin dhe çka për shkollën. Çështja e shkollës zgjidhet më lehtë, sidomos nëse je përcaktuar për profesionin. Edhe pse studimet janë një ëndërr, sidomos, e të rinjve, pjesa dërmuese e tyre kur vendosin për profesionin ata kanë parasysh tregun e punës, ku do të punësohen apo vetëpunësohen ata.
Mosha kur ata e përfundojnë shkollën e mesme dhe përcaktohen për profesionin e tyre, është moshë mjaftë delikate. Një pjesë e tyre vendosin në bazë të propozimeve që marrin nga të tjerët, një pjesë nga influenca që kanë njerëzit e tyre të adhuruar. Një rol të rëndësishëm në këtë vendim luajnë prindërit dhe anëtarët e tjerë të familjes, por edhe tradita profesionale familjare ka një rol të rëndësishëm, edhe pse në Kosovë kjo nuk është edhe shumë e theksuar siç është, për shembull, në vendet e perëndimit kur krijohet tradita familjare profesionale në disa breza si ajo e mjekëve, juristëve, bankierëve, fermerëve etj, por edhe e profesioneve si: parukerëve, grimerëve, mekanikëve,filigranëve etj. Për disa profesione ata vendosin edhe në bazë të vokacioneve dhe pasioneve që kanë apo edhe talenteve të tyre të zhvilluara gjatë shkollimit fillor e të mesëm si: aktrim, muzikë pikturë, matematikë, gjeografi apo shkenca dhe arte të tjera.
Pikë e dobët e sistemit parauniversitar të Kosovës është edhe mungesa e qasjes në zbulimin e hershëm të prirjeve (afiniteteve) të të rinjve për profesionet e caktuara. Kjo do të siguronte një hallkë të fuqishme të ndërlidhjes së interesimeve te hershme te fëmijëve, fokusimit të specializimeve në nivelin e mëvonshëm të shkollimit të mesëm të lartë dhe automatikisht do të lehtësonte edhe përzgjedhjen e profesionit me rastin e përcaktimit për studime universitare.
Cili është (apo duhet të jetë) roli i institucioneve të arsimit të lartë në Kosovë?
Qoftë universitetet publike, qoftë ato private, duhet të kenë të çartë rolin e tyre që ata përgatisin kuadro për tregun e punës. Për secilin punëdhënës diploma ose origjina e vendit të diplomës është vetëm parakusht për një kandidat që ai të ftohet në intervistë. Pak është e rëndësishme nëse ai kandidat ka një diplomë të një institucioni prestigjioz, nëse ai dështon në intervistë pune apo dështon me performancën e vetë në punët e ofruara nga punëdhënësi. Kërkesat e punëdhënësit janë të qarta; nëse kandidati është në gjendje që me aftësitë, ekspertizat dhe kompetencat e ndërtuara gjatë shkollimit arrijnë të përmbush synimet e punëdhënësit. Në kushtet e një tregu global edhe institucionet tona arsimore duhet të përgatiten që produktet (diplomat) e tyre të jenë konkurruese në tregun global.
Nuk ka asnjë dyshim se cilësia e arsimit është faktor kryesor edhe i cilësisë së kualifikimeve të fituara gjatë arsimimit. Cilësia në arsimin e lartë është ngushtë e lidhur dhe e varur edhe nga cilësia e shkollimit parauniversitar. Shumë kandidat që përfundojnë shkollimin parauniversitar dhe mësyjnë Universitetin kanë mangësi të theksuara dhe zbrazëti në fushat e caktuar që krijojnë vështirësi si për kandidatët, po ashtu edhe për institucionet e arsimit të lartë, që pastaj duhet të bëjnë punë të dyfishtë; së pari në përmbushjen e zbrazëtive nga shkollimi paraprak dhe në anën tjetër realizimin e programit të caktuar studimor.
Ne kemi një rini potencialisht impresionuese, që në disa profile të jenë konkurruese në tregun global, apo më së paku atë rajonal, apo në tregun e BE-së. Statistikat flasin se vetëm në fushën e Teknologjisë Informative në vendet e BE-së ka miliona vende të lira të punës, kjo nevojë, tani për tani, nuk shkon duke u zvogëluar, por duke u rritur prej viti në vit.
Ky treg po ashtu ka nevojë edhe për menaxher, por edhe për profilet e mjekësisë dhe sidomos të ndihmës mjekëve apo infermierëve. Pra ka mjaft fusha, që krahas përmbushjes së nevojave të tregut nacional të punës universitetet të kenë parasysh sidomos tregun e BE-së. Institucionet private të arsimit të lartë janë në pozitë më të favorshme që të punojnë më shumë në nxitjen e mobilitetit të studentëve, sidomos me vendet me kërkesa të punës. Liberalizimi i vizave do të ishte një mundësi e shkëlqyer në krijimin e mundësive të tilla, por edhe në shkëmbimin e stafit akademik dhe sjelljes së stafit ndërkombëtar kompetent në fusha të tilla.
Qeveria e Kosovës, e në veçanti Ministria e Arsimit duhet të eliminojnë procedurat burokratike që kerkohen në formë të kushteve sa here që institucionet arsimore bëjnë përpjekje që të sjellin në instiutcionet arsimore të tyre kuadro pedagogjike nga universitetet prestigjioze, kurse MASHT, po ashtu, të krijojë politika të bashkëpunimit dhe përkrahjes së bizneseve, sidomos atyre private, që ata të jenë të inkurajuara që t’i hapin dyert e tyre për punën praktike të nxënësve dhe studentëve. Puna praktike e nxënësve dhe studentëve është një mundësi e jashtëzakonshme për nxënësit dhe studentët, që ata dijet e tyre nga pjesa teorike t’i shfaqin edhe në praktikë, por edhe punëdhënësit kanë mundësi që gjatë punës praktike të këtyre nxënësve apo studentëve, të fokusojnë kuadro që në të ardhmen mundë të bëhen pjesë e kuadrove në ndërmarrjeve të tyre.
Ky shkrim u botua në revistën “Horizont” nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK)