U promovua monografia “Nëpër gjemba drejt yjeve”, i autorit Shyqri Nimani

17 Mars 2017

Me rastin e 75-vjetorit të lindjes dhe 55-vjetorit të krijimtarisë artistike multidisiplinare të prof. Shyqri Nimanit, në prani të krijuesve të letrave shqipe, kritikëve letrarë dhe të fushës së artit në përgjithësi, publicistë, studentë e miqtë librit, Kolegji AAB, organizoi promovimin e monografisë “Nëpër gjemba drejt yjeve”, të autorit Shyqri Nimani, botuar nga Shtëpia Botuese “Ars Albanica”.

Me këtë rast, rektori i Kolegjit AAB, prof. dr. Lulzim Tafa, tha se në librin e tij prof. Nimani na sjell një autobiografi sa të bukur po aq edhe të dhembshme, një autobiografi edhe për një film, për përmasat e një fati njerëzor, duke u nisur që nga fëmijëria e tij e hershme e deri te kompletimi si një artist dhe shkencëtar, çfarë është prof. Nimani.

“Autobiografia e prof. Nimanit është një rrëfim mjaft i prekshëm e i dhimbshëm, i shkruar me një vërtetësi dhe korrektësi maksimale dhe si e tillë që është kjo autobiografi është edhe një shembull se si njeriu, përkundër krajatave e shqetësimeve të mëdha të jetës, mund t’ia dalë mrekullisht, ashtu siç ia ka dalë prof. Nimani. Ai jo vetëm që arriti të dalë nga gjembat, siç e ka edhe titullin kjo autobiografi, por me shpirtin e tij prej artisti dhe me punën e tij të madhe prej hulumtuesi, arriti që kulturës e shkencës shqiptare në përgjithësi t’i japë shumë”, tha rektori Tafa, duke shtuar se kjo është veti e njerëzve të mëdhenj.

Ndërsa, publicisti Adriatik Kelmendi, tha se ju ftoj t’ia bëni vetes pyetjen e sinqertë: A keni pasur ndonjëherë në dorë ndonjë autobiografi të këtillë? “Nëpërmjet shkrimit të kujdesshëm që të mos paraqitet jomodest, nisur nga mbishkrimi i risjellur si lajtmotiv nga qyteti i Raguzës (Dubrovnikut), “Peshoret tona nuk lejojnë të mashtrohen, e as të jesh mashtuar-si e mas unë mallin, ashtu le të më masë vet Zoti”, profesori na fton njëkohësisht në së paku tri bashkëudhëtime. I pari, i natyrshëm për autobiografinë, udhëpërshkimi jetësor, ecejaket e një të riu ambicioz drejt realizimit të ëndrrës dhe misionit të jetës. I dyti, krejt i jashtëzakonshëm për autobiografitë: bashkëudhëtimin nëpër historinë e përgjithshme, si të artit e të kulturës. Dhe i treti, plotësisht i rrallë për autobiografitë: bashkëudhëtim me ilustrime e dizajn me përkujdesje për saktësinë matematikore për të bukrën, për artin”.

Kelmendi shtoi se monografia “Nëpër gjemba drejt yjeve”, është e kompletuar, shumëdimensionale, një enciklopedi e rrallë përvojash, dijesh e shijesh.

Duke i falënderuar të pranishmit dhe ata që e ndihmuan botimin e veprës, autori i librit, prof. Shyqri Nimanitha: “Biografia ime jetësore mund të bazohet në trinomin i cili përbëhet prej tri shtyllave, familja, atdheu dhe krijimtaria. Jam shumë i lumtur që këtë parim e kam mbajtur deri në ditët e sotit, dhe gjithë veprimtaria ime ka shkuar në këtë drejtim ”. Prof. Nimani tha se ne duhet të punojmë duke shkuar drejt Evropës,sepse historikisht i kemi dhe itakojmë botës perëndimore.

Promovimi është përcjellë edhe me një program artistik të studentëve të Fakultetit të Artit Muzikor të Kolegjit AAB..

Shyqri Nimani, merret me pikturë, grafikë, dizajn dhe me disiplina të tjera të arteve figurative. Ka botuar monografi për artin mesjetar dhe bashkëkohor shqiptar. Ka përkthyer edhe libra nga gjuhë të huaja. Deri më tani ka hapur një numër të madh të ekspozitave personale në vend dhe në botëdhe ka marrë pjesë në shumë ekspozita të rëndësishme kolektive. Përveç shpërblimeve e mirënjohjeve për punën profesionale, Shyqeri Nimani ka botuar disa nga monografitë reprezentative dhe më të rëndësishme mbi trashëgiminë kulturore shqiptare: “Onufri dhe piktorë të tjerë mesjetarë shqiptarë”, 1987; “Arti bashkëkohor i Kosovës”, 1988;“Përgatitja e librit”, 1990; “10×10 – Ars Longa Vita Brevis”,1994; “Trojet shqiptare në harta dhe stema”, 1997; “Arnavud – Artistët Shqiptarë në Perandorinë Osmane”,2003; “Gurë të Mozaikut Shqiptar”, 2011;“Mehmet Ali Pasha”, 2012.

Prof. Shyqri Nimani është i njohur gjithandej në të gjitha hapësirat shqiptare për kaligrafimin me dorë në pergamenë të Deklaratës së Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, më 2008.

Share: