Studentja Diellza Begolli angazhohet në Organizatën “Diakonie Kosova – Qendra Psiko-Sociale për Trauma Terapi”, në Mitrovicë

6 Mars 2018

Diellza Begolli, studente e Fakultetit të Psikologjisë në Kolegjin AAB, në mesin e shumë aplikantëve nga universitete të ndryshme publike e private, u përzgjodh si kandidatja më e suksesshme në konkursin e OJQ “Diakonie Kosova – Qendra Psiko-Sociale për Trauma Terapi”, në Mitrovicë.

Ky sukses i Diellzës, i ofroi asaj pozitën e praktikantes në këtë organizatë të rëndësishme që operon në vendin tonë.

Diellza Begolli është në përfundim të studimeve bachelor në Psikologji dhe është njëra ndër studentet më të dalluara.  Ajo ka mbaruar me sukses praktikën gjashtë mujore në OJQ “SOS Fshatrat e Fëmijëve Kosovë”, nga e cila u vlerësua maksimalisht për interesimin dhe gatishmërinë e saj për të punuar, si dhe u cilësua si një bashkëpunëtore shumë e mirë.

Duke qenë pjesë e trajnimit një vjeçar për KHTP ajo u çertifikua për “Art Terapi dhe Interpretim të vizatimeve” nga Shoqata e Psikologëve Shqiptar të Maqedonisë, gjë që e bënë të jetë kompetente në ushtrimin e kësaj terapie.

Përveç tjerash Diellza është pjesë edhe e grupit “Hulumtuesit e Rinj” në Kolegjin AAB.

Gjatë bisedës me Diellzën, ajo falënderoi shumë Kolegjin AAB për mundësitë që ia ka ofruar: “I jam shumë mirënjohëse Kolegjit AAB dhe gjithë stafit të tij për përkushtimin që e kanë ndaj nesh si studentë, si dhe për punën e palodhshme që bëjnë për të na ofruar më të mirën. Çdo arritje qoftë e imja apo edhe e ndonjë studenti tjetër, i atribuohet edhe vullnetit të profesorëve për t’i shpërndarë njohuritë e tyrë me ne, njohuri këto të cilat më kanë avancuar në fushën time përkatëse dhe më ndihmuan të bëhem kjo që jam sot. Për mua është ndjenjë jashtëzakonisht e mirë si dhe privilegj që jam pjesë e Kolegjit AAB, përkrahja nga i cili nuk mungon asnjëherë”, ka thënë ndër të tjerash Diellza.

 

Share: