Vazhdojnë trajnimet për zhvillim profesional të stafit akademik, numër i madh i të interesuarve

19 Korrik 2022

Në Kolegjin AAB në kuadër të ‘’Programit Veror 2022’’ të QAPI, kanë vazhduar për ditën e dytë me radhë trajnimet për zhvillimin profesional të stafit akademik. Pas interesimit të madh për pjesëmarrje, trajnimet u ndanë në salla të ndryshme për të pranishmit derisa u trajtuan tema me interes të  avancimit profesional dhe zhvillimit të stafit akademik.

Zv. rektori i Kolegjit AAB, Shemsedin Vehapi dhe Xhavit Rexhaj, profesor në Fakultetin e Gjuhës Angleze, folën për ‘’Format e vlerësimit dhe ndërtimi i notës‘’, duke shpjeguar metodat dhe përgjegjësinë profesionale gjatë vlerësimit.

Ndërsa në trajnimin tjetër Venera Llunji, profesoreshë në Fakultetin e Gjuhës Angleze e shoqëruar nga Karolina Adamiak nga Universiteti i Lodz-it, trajtuan temën ‘’Kultura dhe udhëheqja organizative’’ duke folur mbi përvojat e tyre në lidhje me mësimdhënien dhe mënyrën se si universitetet përcaktojnë rolet e secilit individ që ka rol kyç në këto institucione. Ndër të tjera, ligjëruesja nga Lodz, ndau eksperiencën dhe mënyrat me të cilat punohet në universitetin ku punon.

‘’Universitetet dhe komunikimi i shkencës me publikun’’, ka qenë një ndër temat e radhës në trajnimin tjetër që u zhvillua nga profesori Mirvan Xhemaili. Edhe në këtë trajnim pjesëmarrësve u janë ofruar detaje dhe njohuri në lidhje se si universiteti ka rol të rëndësishëm për komunikimin e shkencës me publikun. Kjo temë është cilësuar me peshë të madhe, dhe faktor kyç që ndikon në zhvillimin dhe profesionalizimin e stafit akademik.

Pesë trajnimet e radhës vazhdojnë të enjten më 21 korrik prej orës 09:00 deri në 16:30.

Share: