Prof. dr. Bernard Jaffe nga “University School of Medicine”- SHBA, mbajti trajnim special për studentët e Infermierisë të Kolegjit AAB

30 Maj 2018

Prof. dr. Bernard Jaffe nga “University School of Medicine”- SHBA, mbajti një trajnim special për studentët e Fakultetit të Infermierisë të Kolegjit AAB, me temën “Emergjencat dhe traumat”, në fokus të së cilës ishte kujdesi ndaj traumave pediatrike.

Prof. Jaffe këtë trajnim në Kolegjin AAB e zhvilloi pas një numri të madh të trajnimeve në shumë universitete botërore. Nga ky trajnim, studentët e AAB-së patën mundësi të marrin leksione të dobishme që kishin të bëjnë me traumat pediatrike dhe kujdesi infermieror që duhet shfaqur nga ana e tyre në raste kur njerëzit pësojnë lëndime, aksidente, apo janë në gjendje kritike për jetë.

Disa nga objektivat kryesore të këtij trajnimi nga prof. Jaffe për studentët ishin njohja e shkakut të rritjes së traumave pediatrike, ndihma e parë dhe e saktë tek pacientët traumatik, dallimi i llojeve të traumave, kujdesi dhe rehabilitimi tek pacientët, përcjellja e gjendjes në vazhdimësi e pacientëve të traumatizuar, etj.

Ai gjithashtu shtoi se në këto raste reagimet nga njerëzit që ndodhen afër një aksidenti, duhet të jenë të shpejta dhe të sakta.

“Ju duhet të veproni shpejt dhe thërrisni emergjencën apo shkoni në spitalin më të afërt që keni sepse çdo sekondë mund të jetë fatale për personin e lënduar”, tha prof.dr. Jaffe.

Se kjo ligjëratë e mbajtur për studentët e Infermierisë në Kolegjin AAB kishte një rëndësi të veçantë, u pa edhe në fund ku interesimi i tyre ishte jashtëzakonshëm, i shoqëruar me debat ineteraktiv dhe pyetje të shumta.

Në fund të këtij trajnimi studentët pjesëmarrës u pajisën edhe me certifikata për kontributin e dhënë në këtë trajnim.

Share: