Është hapur zyrtarisht konferenca e tretë ndërkombëtare shkencore “Lufta, konflikti dhe shoqëria” në Kolegjin AAB. Në këtë hapje ishin të pranishëm prodekanët, zv/rektorët dhe profesorë të Kolegjit AAB, të cilët njëkohësisht do mbajnë sesione paralele me çështje që ndërlidhen me temën e konferencës.
Dr. Uranela Demaj, Prorektore për Shkencë dhe Hulumtime Kërkimore në Kolegjin AAB, ka falënderuar të gjithë pjesëmarrësit e konferencës, ndërsa prezantoi temat e sesioneve që pritet të diskutohen dhe theksoi rëndësinë e temave që pritet të trajtohen.
Zv/rektori i Kolegjit AAB, prof. dr. ass. Shemsedin Vehapi, tha se kjo konferencë do kontribuoj jashtëzakonisht në thellimin e hulumtimeve shkencore që kanë rëndësi të veçantë edhe për Kolegjin AAB. Ai falënderoi edhe folësit kryesorë të konferencës që vinë nga Belgjika, Anglia dhe Hungaria. Edhe zv. rektorja për Bashkëpunim dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare të Kolegjit AAB, prof. ass. dr. Venera Llunji, iu uroi mirëseardhje pjesëmarrësve duke shtuar se Kolegji AAB synon që përmes konferencave të thellojë bashkëpunimet me universitetet ndërkombtare dhe të rrisë paraqitjen e Kolegjit AAB ndërkombëtarisht.
Kjo konferencë është duke u zhvilluar në bashkëpunim me Universitetin e Shkencave Sociale të Aplikuara nga Lituania, Universitetin Savonia për Shkenca të Aplikuara nga Finlanda, Universitetin Masaryk nga Çekia, Universitetin Shtetëror të Shkencave të Aplikuara Šiauliai nga Lituania, Kolegjin Universitar Edward Bernays nga Kroacia, Universitetin St. Klement Ohridski dhe Institutin për Kërkime dhe Studime Evropiane nga Maqedonia e Veriut.