Miq të poezisë, studiues të letërsisë, staf akademik e studentë ishin pjesëmarrës në manifestimin kulturor në shënim të Ditës Ndërkombëtare të Poezisë, ku u promovua edhe libri “Poema për Natashën” i autorit rumun, Ion Deaconescu, përkthyer në shqip nga Baki Ymeri.
Në fjalën e tij rektori i Kolegjit AAB, Lulzim Tafa, tha se një libër si ky që në tërësi i kushtohet bashkëshortes së autorit, Natashës, është libër i cili trajton tema universale dhe se përjetimet e autorit të shprehura në poezi janë frymëzim për këdo.
Zëvendës ministrja e Kulturës dhe Sportit në Kosovë, z. Leonora Morina Bunjaku ngriti lartë veprën e autorit Ion Deaconescu. Ajo gjithashtu falënderoi dhe përgëzoi Kolegjin AAB për shënimin e kësaj dite me rëndësi për letërsinë.
“Poema për Natshën është një himn për dashurinë, është një himn për dhimbjen që shkakton humbja e së bukurës. E veçanta dhe më e rëndësishmja e tërë kësaj është se këto përjetime përmes poezisë si gjuhë universale të shpirtit shpërndahen tek të gjithë”, tha studiuesi Bujar Tafa.
Ndërsa, prof.dr.Hasan Saliu, veprën e poetit Deaconesce e krahasoi me veprat e Franz Kafkës. Ai tha se vargjet e thurura na nxisin të mendojmë për dashurinë, dhimbjen, emocionin, të madhërishmen, të bukurën por edhe të shëmtuarën.
Nga ana tjetër, drejtuesi i Shoqatës Ndërkombëtare të Shkrimtarëve “Pjetër Bogdani”, Jeton Kelmendi, në bashkëpunim me të cilën u organizua ky manifestim kulturor, theksoi se ngjarjet e tilla si promovimi i këtij libri janë gjithmonë të mirëseardhura.
Shkrimtarit të njohur rumun, Ion Deaconescu, me këtë rast iu akordua edhe Çmimi “Dardanika”, nga Shoqata Ndërkombëtare e Shkrimtarëve “Pjetër Bogdani”.
Me këtë rast, Deaconescu shprehu mirënjohjen e tij për çmimin dhe për Kolegjin AAB, i cili ishte nikoqir i promovimit të librit të tij më të ri.