Organizuar nga Fakulteti i Gjuhës Angleze dhe Biblioteka Universitare e Kolegjit AAB, në Teatrin Kamertal të AAB-së, u shënua Dita Ndërkombëtare e Librit dhe të Drejtës së Autorit dhe Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Angleze.
Në këtë shënim, ku u organizuan aktivitete me qëllim promovimin e librit dhe kulturës së leximit, Rektori i Kolegjit AAB, Lulzim Tafa u bëri thirrje studentëve që këtë ditë ta shfrytëzojnë si mjet për festimin dhe edukimin e të rinjve dhe shoqërisë në përgjithësi nëpërmjet artit të të lexuarit.
“Ne këtu në AAB jetojmë me librat, dhe çdo ditë është ditë libri, por e sotmja le të jetë kryeditë e librit”, tha Tafa duke nënvizuar gjithashtu se Kolegji AAB, në shenjë nderimi për profesorin tashmë të ndjerë Masar Stavileci, ka themeluar edhe Çmimin me emrin e tij, për të nderuar studentët më të dalluar në lexim e në shfrytëzimin e shërbimeve bibliotekare.
Me këtë rast, Biblioteka Universitare e Kolegjit AAB ndau mirënjohje dhe nga një komplet librash për 5 studentët më të dalluar: Blerta Neziri, Egzona Krasniqi, Arbnor Grabanica, Fitore Krasniqi dhe Shpresa Agushi.
Kremtja e sotme u pasurua edhe me pikat artistike të studentëve të Fakultetit të Gjuhës Angleze, të cilët në shënim të Ditës Ndërkombëtare të Gjuhës Angleze u paraqitën me poezi e monologë të autorëve të shquar, si: William Shakespeare, Charles Bukowski, etj..
23 Prilli është caktuar si ditë e veçantë e kalendarit me vendim të UNESCO-s për të festuar ditën e librit dhe të gjuhës angleze, ndërsa Kolegji AAB në vazhdimësi datat e tilla i kujton me aktivitete të ndryshme.