AAB DO TË THELLOJË BASHKËPUNIMIN ME UNIVERSITETE TË NJOHURA NGA TURQIA

19 Shkurt 2015

Nje ekip i AAB-së, i përbërë nga Prof. Ilir Tafa, kryetar i bordit, Xhavit Rexhaj, prorektor për bashkëpunim ndërkombëtar,  Rizvan Rexhaj, udhëheqës i departamentit të marketingut, Granit Curri, sekretar i përgjithshëm dhe Engin Melekogllu, koordinator i programit në turqisht në AAB, qëndruan në një vizitë zyrtare dhe studimore në Ankara të Turqisë prej datës 10 deri 13 shkurt 2015.

Gjatë kësaj vizite delegacioni vizitoi Ambasadën e Kosovës në Turqi, Universitetin jopublik Çankaja, Universitetin TOBB, Këshillin e Arsimit të Lartë të Turqisë, Universitetin Atilim, Kompaninë Infoyed dhe Universitetin e Shoqatës Turke të Aeronautikës. Vizita është organizuar dhe realizuar me ndihmën e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Republikën e Turqisë.

Në ditën e parë të vizitës, delegacioni ka realizuar një takim me ambasadorin e Republikës së Kosovës në Turqi, Shkëlqesinë e Tij, Avni Spahiu, dhe me z.Gyner Ureya, ministër-këshilltar në ambasadë. Delegacioni ishte i impresionuar me nivelin e lartë të organizimit, raportet e krijuara me institucionet e me popullin turk, dhe me mikëpritjen e përkrahjen e parezervë gjatë tërë vizitës. Gjatë bisedës delegacioni u informua për përgatitjet për shënimin e Ditës së Pavarësisë së Republikës së Kosovës në Turqi,  organizimin e takimeve në nivelet më të larta ndërmjet zyrtarëve të të dyja vendeve dhe nismën më të re të ambasadës sonë, hapjen së shpejti të Qendrës Kulturore Shqiptare në Ankara. Pos përkrahjes në organizimin e vizitës, ministri-këshilltar Urea ofroi përkrahje edhe gjatë realizimit të vizitave nëpër institucionet arsimore në Turqi.   

Këshilli i Arsimit të Lartë i Republikës së Turqisë

s6302708

Këshilli i Arsimit të Lartë mbulon funksione të shumta në sistemin e arsimit në Turqi. Ndër to përfshihet edhe funksioni i akreditimit dhe njohjes së institucioneve arsimore vendore dhe të huaja. Delegacionin e AAB-së e priti drejtori i departamentit për bashkëpunim ndërkombëtar, Prof. Dr. Sedat  Gymysh dhe Myseme Mert nga njësia për Evropë e këtij departamenti. Në takim u bisedua për njohjen e diplomave të institucioneve ndërkombëtare, për mësimet në distancë dhe mundësitë e bashkëpunimit me institucionet turke të arsimit të lartë. Në takim u theksua se për çdo bashkëpunim institucional ndërkombëtar kërkohet domosdoshmërisht miratimi i Këshillit të Lartë. Mikëpritësit e informuan delegacionin e AAB-së se diplomat e AAB-së në përgjithësi njihen nga ky Këshill, me përjashtim të rasteve ku duhen respektuar specifikat turke (për shembull ligjet e shtetit të Turqisë në programet e drejtësisë) dhe profesioneve të rregulluara, ku kërkohet edhe provim shtetëror (njësoj sikurse për institucionet vendore). Palët u dakorduan për nevojën e informimit të vazhdueshëm për procedurat dhe rregulloret përkatëse që përcaktojnë bashkëpunimin ndërkombëtar dhe studimet në distancë në të dyja vendet.

Vizita në Universitetin Çankaja

universiteti-cankaya

Në ditën e parë të vizitës, delegacioni u prit nga prorektori Kenan Tash dhe Aykut Kansu, dekan i Fakultetit të Ekonomisë në Universitetin Çankaja. Universiteti Çankaja është ndër universitetet më elite në Turqi me rreth 8000 studentë që mësojnë në gjuhën angleze në studime të nivelin baçellor, master dhe doktoratë. Universteti hyn ndër 10 përqind të universiteteve më të mira botërore sipas të gjitha listave të rangimit të institucioneve të arsimit të lartë në botë dhe zhvillon bashkëpunim në kuadër të 36 marrëveshjeve për bashkëpunim në kuadër të programit evropian Erasmus. Universiteti dallohet edhe për organizimin e një shkolle shumë cilësore verore, që zgjat shtatë javë dhe ka një  pjesëmarrje të lartë të studentëve nga mbarë bota. Të dyja delegacionet u morën vesh që të bashkëpunojnë në shkëmbimin e personelit, në konkurrim për projekte e fonde evropiane, në organizimin e studimeve në distancë, dhe në organizimin e përbashkët të shkollave verore. Po ashtu delegacionet u pajtuan që të aranzhohet një marrëveshje bilaterale për mobilitet të studentëve dhe të mendohet mësimdhënia e përbashkët e profesorëve në shkollën verore. Si fusha prioritare të bashkëpunimit u caktuan administrata publike, gjuha angleze, arkitektura dhe ekonomia. Në javët në vijim AAB do të dërgojë versionin e parë të marrëveshjes për bashkëpunim në mes të dy institucioneve.

Universiteti i Biznesit dhe Teknologjisë – TOBB

universiteti-tobb

Ky universitet është i themeluar nga fondacioni i krijuar nga Oda Ekonomike e Turqisë. Është ndër institucionet më cilësore të arsimit të lartë në Turqi ku mësimi mbahet në gjuhën turke dhe angleze. Ndër kushtet për pranim është edhe njohja e mirë e gjuhës angleze për të gjithë studentët për të  përdorur literaturën në këtë gjuhë. Universiteti dallohet për  cilësinë dhe kohëzgjatjen e punës praktike që kryhet në formë të mësimit dual në më se një milion bizneset anëtare të Odës Ekonomike. Koordinatorja e Zyrës për Bashkëpunim Ndërkombëtar në këtë Universitet Birgul Demirtas, dhe dekani i Fakultetit  më të madh të Ekonomisë dhe i Shkencave administrative, Ihsan Sezal ofruan bashkëpunim të plotë me Kolegjin AAB. Palët u dakorduan që të fillojë bashkëpunimi në fushën e ndërkombëtarizimit të studimeve, shkëmbimit të studentëve, hartimin e projekteve të përbashkëta për Erasmus, projekte dhe publikime të përbashkëta shkencore, organizimin e përbashkët të shkollave verore, përdorimin e ndërsjellë të literaturës, forcimin e qendrës për mësim tërë jetësor, programe të shkurtra për certifikatë, etj.. Këto tema dhe aktivitete të bashkëpunimit do të përfshihen në marrëveshjen e bashkëpunimit që do të nënshkruhet gjatë vizitës së delegacionit të TOBB në AAB, në muajin prill 2015. 

Universiteti Atilim

universiteti-atilim

Ky është ndër 10 universitet më të avancuara turke për kërkime shkencore. Dy të tretat e programeve zhvillohen në gjuhën angleze me programe intensive të bashkëpunimit ndërkombëtar që ralizohet nëpërmjet të më se 70 marrëveshjeve përkatëse vetëm në Erasmus. Delegacionin nga AAB e pritën zëvendës rektori, Prof. Ismail Birçan dhe prorektori për mësim, Prof. Hasan Akaj. Palët u dakorduan që të punojnë së bashku në hartimin e një marrëveshjeje kornizë me fokus në fushat e mobilitetit të personelit e të studentëve, në projekte të përbashkëta akademike e shkencore, dhe në ngritjen e kapaciteteve shkencore të personelit të AAB-së. U vendos po ashtu që bashkëpunimi të përqendrohet në fushën e ekonomisë, arkitekturës dhe arteve. Nënshkrimi i Marrëveshjes, pas miratimit të saj nga ana e Këshillit të Arsimit të Lartë, do të realizohet gjatë vizitës kthyese në Kosovë, në prill 2015. 

Universiteti i Asosciacionit Turk të Aeronautikës (UATA):

Në fund të vizitës, delegacioni u takua me ndihmës koordinatorin e Zyrës Ndërkombëtare të UATA, Dr. Emin Serin. Palët në takim u dakorduan që të punojnë në fushat si biznesi, ekonomia, dhe aeronautika me përqendrim në ofrimin e kurseve dhe programeve për certifikatë. Po ashtu kishte dakordim për shfrytëzimin e mundësive për shkëmbim të personelit dhe për hartim e konkurrim me projekte të përbashkëta për fonde evropiane.

Delegacioni pati edhe takime të tjera me biznese turke. Ndër to ishte edhe organizata Noktanet (Zt. Ynal Erdalogllu) në fushën e aplikacioneve softuerike dhe të transferit të teknologjisë e dijes. Palët diskutuan mundësitë e bashkëpunimit për themelimin e Qendrës për Inovacione në Fakultetin e Shkencave Kompjuterike të AAB-së. Pos kësaj, delgacioni u takua edhe me themeluesin e Kompanisë Infoyed, që përqendrohet në shërbimet përcjellëse për përkrahjen e studentëve turq në vend dhe jashtë. Palët u dakorduan që të punojnë së bashku për të lehtësuar procesin e regjistrimit të të interesuarve nga Turqia për studime në AAB. Vizita kthyese në Kosovë do të jetë rast për finalizimin dhe nënshkrimin e një marrëveshjeje bashkëpunimi ne mes të dy organizatave.

Share: