AAB, mbrëmje madhështore në 80-vjetorin e Nexhmije Pagarushës

17 Maj 2013

Kolegji AAB në një mbrëmje gala nderoi bilbilin e këngës shqipe, Nexhmije Pagarusha, në shënimin e 80-vjetorit të lindjes së saj.Në një transmetim direkt nga Radio Televizioni i Kosovës dhe drejtuar nga i mirënjohuri, Adi Krasta, u evokuan kujtime nga karriera e gjatë dhe e sukseshme e Nexhmije Pagarushës.Regjisori Ekrem Kryeziu, kujtoi se si Pagarusha duke qenë këngëtare, arriti edhe suksesin maksimal si aktore në një film të Kryeziut, film i cili, sipas tij, mori vendin e parë jo vetëm në ish-Jugosllavi, por edhe më gjërë.

“Ajo nuk ishte aktore, por origjinaliteti i saj triumfoi si vlerë”, tha Kryeziu.Ndërsa, në nder të Pagarushës, sopranoja Sanije Matoshi interpretoi këngë të divës shqiptare.”I nderuari të nderon”, ishin fjalët e primadonës së muzikës shqiptare, kur ajo e falënderoi Kolegjin AAB për organizimin madhështor në nder të 80-vjetorit të saj.Gjatë fjalimit, ajo kujtoi edhe çmimin më të madh të karrierës së saj të ndarë nga presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, “Nderi i kombit”.

Ndërkaq, rektori i Kolegjit AAB, Lulzim Tafa, vlërsoi lart karrierën muzikore të Pagarushës.Ai tha se, Pagarusha meriton këtë manifestim madhështor, sepse ka qenë prezantuesja më e denjë e kulturës shqiptare jo vetëm në ish-Jugosllavi, por edhe jashtë saj, duke lënë gjurmë të pashlyeshme të brezi i ri i artistëve.

Aktori i mirënjohur Enver Petrovci, evokoi kujtime nga puna me këngëtaren Pagarusha. Ai kishte përzgjedhur një poezi të poetit, Din Mehmeti kushtuar saj.”Këndoi, këndoi deri sa u shndërrua në këngë”, ishin vargjet të cilat i interpretoi Petrovci duke pohuar se, -“Nexhmija edhe vetë është shndërruar në këngë”.

Të pranishëm në këtë gala mbrëmje ishin shumë figura të njohra, jo vetëm të artit shqiptar, por edhe politikës, shkencës etj.Ndërsa, Kolegji AAB, Bilbilit të këngës Nexhmije Pagarusha, i ndau një dekoratë në nder të karrierës dhe kontributit të saj të madh në fushën e artit mbarëshqiptar.

 

Artistja shqiptare Nexhmije Pagarusha lindi më 7 maj 1933 në fshatin Pagarushë të Malishevës në Kosovë. Kur flitet për të, përdoren në një frymë shumë epitete si: Bilbili i Kosovës, Mbretëresha e Këngës Shqipe, Primadona e Melosit Popullor, Ema Sumak Shqiptare, Madam Butterfly, Fyti i Kristalte etj. Mori shumë çmime, ndër të tjera “Këngëtare e Shekullit”.
Veprimtaria e saj muzikore 40-vjeçare është aq e gjerë, sa që është vështirë të thuhet se cilit zhanër i takon. Është e njohur për interpretimet e saj të shkëlqyera në muzikën popullore dhe opera .
Nexhmije Pagarusha ishte edhe aktore e suksesshme, si në film ashtu edhe në teatër.
Në Beograd vijoi shkollën e muzikës për solo kanto, të cilën ajo e la në vitin e tretë dhe nuk e vazhdoi më. Po ashtu në Beograd kishte paraqitjen e parë muzikore në skenë. Në vitin 1948 është pranuar soliste në Radio Prishtinë.
Bashkëpunoi edhe me këngëtarët nga Shqipëria dhe u paraqit edhe në Shqipëri me ansamblin “Shota” me rastin e një turneu.
“Baresha” është një ndër kryeveprat e interpretimit të saj. Kjo këngë u kompozua nga bashkëshorti i saj Rexhep Mulliqi, me tekstin e poetit Rifat Kukaj.
Nexhmije Pagarusha interpretoi në një koncert të muzikës klasike veprat e përkthyera shqip të Bethovenit, Puçinit, Verdit, etj. Ky koncert ka qenë i pari i këtij lloji. Fatkeqësisht, asnjërit nga organizatorët teknikë nuk iu kishte kujtuar që të regjistronte këtë koncert! Për fat të keq, nuk janë evidentuar as të gjitha koncertet dhe repertori i këngëve të kënduara nga ajo, ngaqë, siç ka thënë ajo një herë, për të vetëm muzika ishte me rëndësi; ajo dhe muzika ishin një. Mendohet se ajo ka interpretuar mbi 150 këngë.
Ajo ishte pjesëmarrëse e koncerteve në Kosovë, Shqipëri, Bullgari, Izrael, etj. Karrierën muzikore e përfundoi në vitin 1984, pas një koncerti në Sarajevë.
Pas 16 vjetësh larg skenës, ajo u paraqit në vitin 2000 me këngën “Për ty” në një emision të udhëhequr nga Ardit Gjebrea, i cili e bindi të bëjë këtë.
Ishte në jurinë e festivalit “Kënga Magjike 2005”. Aktualisht është këshilltare e lartë për muzikë në Radio Kosovë dhe në Radio Blue Sky.

Veprat muzikore:

Disa nga këngët e saj:
“Baresha”, “Ani mori nuse”, “Mora testin”, “Kur më shkon si zog n’hava”, “Kur më del në derë”, “Ke selvitë”,”Ç’u ngrit lulja në mëngjes”,”Çil njat zemër plot kujtime”,”Dallëndyshe”,”Një lule”,”Zambaku i Prizrenit”

Interpretoi në filmat dhe ,shfaqjet teatrore:
“Dasma e përgjakur”, (1967),”Jugovizioni” (1973),”Gëzuar viti i ri” (1976),”E kafshoja terrin” (1977),”I ikuri”. (1980),”Tre vetë kapërcejnë malin” (1981),”Lepuri me pesë këmbë”,”Fluturimi i Micakut”,”Daullet e të çmendurve”,”Rexha i nënës në grazhd të kalit”,”Vrasësit bëjnë dasmë natën” (1997)

 

 

Share: