AAB në konferencë të përbashkët shkencore me Universitetin e Firences, Tiranës dhe Elbasanit

11 Mars 2022

“Kujtesa kolektive në letërsi dhe media” është tema e konferencës shkencore ndërkombëtare e cila ka bërë bashkë Fakultetin e Komunikimit Masiv të Kolegjit AAB, Shkollën e Shkencave Politike të Universitetit të Firences (Itali), Departamentin e Gazetarisë dhe Komunikimeve të Universitetit të Tiranës dhe nikoqirin, Departamentin Letërsi-Gazetari të Universiteti të Elbasanit.

Në këtë konferencë shkencore ndërkombëtare e cila do të mbahet më 12 maj, pritet të marrin pjesë studiues të mediave e komunikimeve dhe letërsisë nga Shqipëria, Kosova dhe Italia.  

Qëllimi kryesor i kësaj konference është që të ofrojë këndvështrime të reja për dilema të vjetra që kanë të bëjnë me fushën e kujtesës kolektive kryesisht në letërsi dhe në media, në mënyrë që të zgjerojë studimet në këto fusha si dhe në ndërlidhjet mes formësimit të kujtesës kolektive dhe rolit të letërsisë dhe masmedias në ndryshimin e konteksteve politike, sociale dhe kulturore.

Konferenca në thirrjen për abstrakte ka vendosur disa akse tematike e fokusuar në katër panele: Politika e kujtesës, Shkrimi i kujtesës, Kujtesa kolektive në media, Kujtesa e të shenjtës, ndërsa afati për dërgimin e abstrakteve është deri më 31 mars.

Kjo është konferenca e dytë e përbashkët e Kolegjit AAB me Universitetin e Firences dhe Elbasanit, ndërsa me Universitetin e Tiranës deri më tani ka pasur disa konferenca të përbashkëta në fushën e mediave dhe komunikimeve.

Thirrjen e plotë të konferencës mund të shkarkoni këtu.   

Share: