Në kuadër të Manifestimit “Ditët e AAB-së, 2015”, Fakulteti Ekonomik i Kolegjit AAB, mbajti sot një tryezë në temën “Trendet aktuale ekonomike në Kosovë”, ku të pranishëm ishin përfaqësues të institucioneve qendrore e lokale të Republikës së Kosovës, përfaqësues të organizmave biznesor dhe kompanive të suksesshme, profesorë dhe studentë të AAB-së, mysafirë dhe të interesuar të tjerë, të cilët e përcollën me interesim debatin.
Fillimisht, rektori i AAB-së, prof.dr.LulzimTafa, pasi përshëndeti mysafirët dhe i falënderoi ata për pjesëmarrje në debat, foli për historikun e AAB-së, dhe mundësitë që ofron ky institucion i lartë arsimor. “AAB u krijua menjëherë pas luftës në Kosovë kur u krijuan rrethana të reja dhe kur u krijuan mundësitë që edhe vendi ynë edhe pse i fundit në Evropë të liberalizojë edhe tregun e dijes. Ne ishim të parët që thyem edhe kushtet e monopolit klasik në fushën e arsimit që kishte vendi ynë për kohë të gjatë”. Rektori Tafa shtoi se, tema e cila po diskutohet sot, është një temë e rëndësisë së veçantë, por edhe mjaft delikate për faktin se pikërisht këta trendë nuk janë aspak inkurajuese për vendin tonë. “Kosovën e presin sfida të mëdha në aspektin ekonomik në të ardhmen, dhe nëse nuk do të ndërmerren masat e duhura për përmirësimin e politikave që nxisin zhvillim ekonomik, ne do të kemi një situatë edhe më të rëndë ekonomike, kur kemi parasysh sidomos shkallën e varfërisë, dhe shkallën e papunësisë që janë shumë të larta”, theksoi ai.
Ndërsa dekanja e Fakultetit Ekonomik, dr. Vjollca Hasani, pasi hapi debatin dhe falënderoi të pranishmit mbi të gjitha i njoftoi se AAB-ja është një institucion që ka traditë të gjatë në organizimin e debateve nga fusha të ndryshme, me interes për studentët dhe për opinionin e gjerë.
Zëvendësministri i Financave z. Agim Krasniqi, foli për rolin dhe punën që po bëhet në këtë ministri: ” Ne vlerësojmë se viti 2015 është një vit stabilizues të cilin e përcjell një rritje ekonomike prej 3.8%,dhe janë katër indikatorë që ndikojnë në këtë rritje ekonomike, si; çështja e konsumit, diaspora, përmirësimi i eksportit dhe sektori i bujqësisë dhe sektorë të tjerë. Në tre vjetët e ardhshëm do të kemi një rritje mesatare prej rreth 4.4 %, por kjo rritje për Republikën e Kosovës nuk është e mjaftueshme, por presim investime më të mëdha si në energji, rastin me Brezivoicën, ndërsa investimi që e kemi rritë në bujqësi, presim të ketë rezultate”. Zëvendësministri Krasniqi, tha se presim të kemi investime edhe ne sektorin e ujitjes, investime të mëdha edhe nga qeveria japoneze, qeveria gjermane dhe nga disa partnerë të tjerë.
Kurse Shpend Ahmeti, kryetar i Komunës së Prishtinës, tha se sot ne jemi vendi me papunësinë me të madhe në Evropë, dhe tash e tutje ideja është prej nga po vjen rritja ekonomike, kujt t’i drejtohemi për vendet e reja të punës, qysh do të rritemi ne ekonomikisht. “Pse po e bëjmë problem migrimin ku me shifrat tona del se nuk kemi mundësi të punësojmë këta njerëz, duhet të jemi real me vetveten, nuk mund t’i krijojmë 20 ose 30 mijë vende të punës në vit sepse kjo është rritja ekonomike të cilën do ta kemi, dhe çka do të bëjë me këtë papunësi, por duhet të shohim burimet e rritjes ekonomike”. z. Ahmeti tha se në qoftë se vazhdojmë të importojmë prej vendeve të tjera ndërsa gjysma e tokës sonë nuk punohet, kurse nga ana tjetër janë bërë investime të mëdha në sektorin e bujqësisë.
Nga ana tjetër deputeti dhe anëtar i Komisionit Parlamentar për Zhvillim Ekonomik, Besim Beqaj, foli për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe rreth vendimeve që janë duke u zbatuar tani: “Kemi marrë vendim me bizneset, pushimi nga taksat, kjo i bie që një biznes i ri nga tre vite deri në shtatë t’i hiqet tatimi në fitim. E ardhmja është duke tentuar të zhvilloj prodhime, si në mekanizmin lokal, qoftë qendrore”, tha deputeti Beqaj. Sipas z. Beqaj papunësia në Kosovë sillet rreth 31%, e jo siç mendojnë të tjerët mbi 40%. Ai i sugjeroi studentët dhe të pranishmit se tash e tutje është mirë me krijuar një klimë të promovimit të produktit dhe brendit tonë në Kosovë.
Po ashtu, lidhur më temën e debatit “Trendet aktuale ekonomike në Kosovë”, diskutoi Robert Wright- drejtor i Bordit të Asociacionit të Bankave të Kosovës, i cili u fokusua nëqëndrueshmërinë e sistemit bankar si sektori më i rëndësishëm në vendet në zhvillim e sipër.
Udhëheqës i Departamentit të Procedurave Doganore dhe Akcizës në Doganat e Kosovës, Jashar Goga; Agim Shahini, drejtor i Agjencionit Kosovar të Bizneseve dhe drejtorii Kompanisë “MagicIce” Lulzim Aliu, u fokusuan mbi institucionet dhe kompanitë që drejtojnë karshi zhvillimeve ekonomike në vendin tonë.
Në debat morën pjesë edhe shumë studentë të Fakultetit Ekonomik të cilët diskutuan dhe dhanë vlerësime të ndryshme, mbi temën e debatuar.