AAB zyrtarizon bashkëpunimin edhe me Fakultetin e Kujdesit Shëndetësor nga Jesenica, Slloveni

29 Nëntor 2016

Fakulteti i Infermierisë i Kolegjit AAB ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me Fakultetin e Kujdesit Shëndetësor nga Jesenica të Sllovenisë, e cila ka për qëllim bashkëpunimin nga fusha e Infermierisë në interes të të dyja institucioneve. 

Kjo marrëveshje parasheh shkëmbimin e stafit akademik dhe të studentëve, organizimin konferencave shkencore, simpoziumeve, seminareve, botime të përbashkëta, shkëmbimin e vizitave, konkurrimin e përbashkët në projekte në nivel rajonal dhe ndërkombëtar, etj.

Marrëveshja në fjalë është nënshkruar nga dekani i Fakultetit të Infermierisë në Kolegjin AAB, Idriz Sopjani, dhe dekanja  e Fakultetit të Kujdesit Shëndetësor në Jesenica, prof. assoc. dr. Brigita Skela – Savič.

Fakulteti i Kujdesit Shëndetësor të Republikës së Sllovenisë ka filluar punën në vitin 2007. Ky institucion ofron programe studimore të nivelit bachelor dhe master në fushën e infermierisë. Përveçqë ka numër  të madh të studentëve, stafit akademik dhe infrastrukturën më bashkëkohore, gjithashtu është i shquar për bashkëpunime me institucione rajonale dhe ndërkombëtare.

Fakulteti i Infermierisë i Kolegjit AAB, së bashku me Fakultetin e Kujdesit Shëndetësor nga Jesenica, së shpejti pritet të ndërlidhen edhe në kuadër të projekteve Erasmus +, nga të cilat do të përfitojnë studentët dhe stafi mësimdhënës.

Share: