AABtalks: Lorik Cana: “Unë e kam bërë zgjedhjen time. E kam ndërprerë futbollin!”

8 Prill 2017

Ish kapiteni i Kombëtares shqiptare dhe  futbollisti me famë botërore, Lorik Cana, ka qenë i ftuari i radhës në AABtalks, ku para studentëve të Kolegjit AAB, rrëfeu për fillimin e karrierës së tij dhe vështirësitë që i ka hasur rrugës, deri në kulmin e karrierës së tij sportive. Ai foli për lidhjen e tij me Kosovën dhe Shqipërinë, për futbollin, si dhe për planet e tij në të ardhmen, duke nënvizuar edhe fondacionin e tij, “Lorik Cana 5”.

Profesionin prej sportisti e kam trashëguar nga babai, tha Cana. “Unë nuk e kam pasur prej fillimit zgjedhje të bëhem sportist, por duke e parë babanë që ka qenë futbollist, ai më tha që ti do bëhesh futbollist. Kështu që, ose do bëhesha futbollist ose do bëhesha futbollist, nuk kisha shumë zgjedhje. Por për të qenë i suksesshëm në një fushë duhesh domosdo ta kesh pasion. Unë e kisha futbollin pasion”, tha Cana.

I pyetur nëse karriera e tij aktive në futboll ka marrë fund, Cana konfirmoi për studentët e AAB-së se ai tashmë është orientuar në pjesën tjetër të karrierës: “E kam ndërprerë futbollin. Nuk kam dalë ende zyrtarisht ta them, por unë zgjedhjen e kam bërë që ta ndërpresë pas Evropianit 2016. Unë kam pasur  disa probleme shëndetësore dhe nuk më lejohet më ta praktikoj sportin në nivelin e lartë”, tha Cana, duke shtuar se tani do të fokusohet në zhvillimin e tij si trajner e menaxher sportiv.

Ai ka folur edhe për fondacionin “Lorik Cana 5”, për të cilin ka thënë se e kam shumë për zemër, dhe se ka dy vite që punon për të, e i cili është një projekt bamirësie në fushën e sportit dhe kulturës në veçanti për moshat e vogla.

I pyetur nëse do të pranonte poçes i bëhet ofertë të zëvendësonte trajnerin e përfaqësueses së Kosovës, Albert Bunjakun, edhe në rast se tifozët “Dardanët” do mund të ishin kundër, Cana tha se ai dardan është edhe vetë.  “Unë jam pjesë e Dardanëve, se Dardan jam vet”, duke lënë të kuptohet se në një të ardhme do ta pranonte edhe këtë detyrë.

AABtalks me Lorik Canën, u mbyll me diskutimet me studentët e Kolegjit AAB, prej të cilëve Cana mori shumë pyetje. Ndër të tjera, ai është përgjigjur edhe për incidentin në ndeshjen kundër Serbisë, për të cilën ka thënë se reagimi i tij ishte krejtësisht spontan: “Në fushë ne jemi  si vëllezër dhe gjatë sulmit mbrojtja ndaj vëllezërve është gjëja më normale që duhet të bëhet”, ka thënë ai.

Ylli shqiptar i futbollit, mori pjesë edhe në ndarjen e Kupës së AAB-së, në turneun në futboll të vogël, të organizuar për maturantët e shkollave të mesme të Kosovës nga Kolegji AAB, ku në ndeshjen finale triumfuan maturantët e Shkollës së mesme “Isa Boletini” nga Podujeva kundër maturantëve të Shkollës “Hivzi Sulejmani” nga Fushë Kosova. Në vendin e tretë u ranguan maturantët e Shkollës “MIXE”nga Kamenica.

 

 

Share: