Admirali James Foggo: Shndërrimi i FSK-së në ushtri është një çështje për të cilën duhet të flasë Qeveria e Kosovës

22 Mars 2018

Sot në Kolegjin AAB ka qëndruar për vizitë Admirali James FOGGO III, Komandanti i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate në Napoli (JFCNP) dhe gjenerali Salvatore CUOCI, ku me këtë rast kanë mbajtur ligjëratë para studentëve për misionin e KFOR-it në Kosovë, si dhe operacionet e NATO-s.

Në këtë takim me studentët dhe stafin akademik të Kolegjit AAB, Admirali amerikan James Foggo ka thënë se Kosova është shumë e rëndësishme dhe se ne jemi këtu për të ruajtur stabilitetin dhe lirinë e lëvizjes. Siguria e saj ka të bëjë me të gjithë neve, kjo është arsyeja pse NATO është ende këtu.

I pyetur se kur duhet që Kosova ta formojë ushtrinë, ai tha se kjo është një çështje që institucionet duhet ta bëjnë përmes ndryshimeve kushtetuese.

“NATO nuk e bënë këtë. Qeveria e Kosovës duhet ta bëjë këtë. Mënyra është shumë e thjesht, përmes reformave kushtetuese. NATO ka qenë shumë e qartë, duke filluar nga deklarata e sekretariatit të përgjithshëm të NATO-s, ku thuhet se kjo është çështje e juaja dhe kërkohen 2/3 e shumicës për ndryshime kushtetuese” tha Admirali Foggo.

Ndërsa, gjenerali Salvatore CUOCI shtoi se qytetarët e Kosovës gjithmonë kanë pasur vullnet për të krijuar një të ardhme më të mirë, gjithashtu se institucionet e Kosovës mund të bëjnë më shumë në këtë drejtim.

“Këtu ka një vullnet për të krijuar një të ardhme më të mirë për vendin, edhe pse institucionet mund të bëjnë më shumë, sado që kanë sfida siç është kjo e sotmja p.sh demarkimi i kufirit me Malin e Zi e që është një hap drejt intergrimit evropian” tha gjenerali CUOCI.

Admirali Amerikan Foggo, ka inkurajuar studentët që të vazhdojnë me angazhimet e tyre akademike, sepse siç tha ai: “Është mbase rasti i parë që kam takuar një grup kaq të madh të të rinjve të Kosovës, por jam i impresionuar me ju”.

Vizita e Admiralit të NATO-s Foggo dhe e Gjeneralit të KFOR-it Cuoci, u organizua në bashkëpunim edhe me Unionin e Studentëve të Kolegjit AAB.

Share: