Në kuadër të ciklit të “Debateve për Qeverisjen Lokale në Kosovë” që po mbahen në Kolegjin AAB, kryetari i Gjakovës, Adrian Gjini, mbajti një ligjëratë për studentët kampusit të Gjakovës
Me këtë rast, zv.rektori i Kolegjit AAB, Shemsedin Vehapi, e falënderoi kryetarin Gjini për gatishmërinë dhe kohën që ka ndarë për të qenë bashkë me studentët, që të diskutojë çështjet të cilat janë edhe në interes të dyanshëm.
“Debate të tilla me personalitete të shquara nga fusha të ndryshme janë pothuajse tradicionale në Kolegjin AAB. Ne besojmë se rezultatet më të mira në procesin e mësimnxënies arrihen përmes punës së kombinuar. Dijet teorike që ju i merrni në ligjërata dhe ato që i lexoni në libra më së miri kombinohen në proces edhe të ndërtimit të shkathtësive”, tha zv.rektori Vehapi.
Ndërsa, kryetari Gjini, në këtë ligjëratë para studentëve të Kolegjit AAB, foli për konceptin e ri të qeverisjes lokale, për menaxhimin e buxhetit, për projektet që është duke i realizuar në të gjitha sektorët pas marrjes së mandatit, për shërbimet publike dhe administrative të komunës si dhe për tematika të tjera që kanë të bëjnë me qeverisjen lokale.
Ai, poashtu në këtë ligjëratë foli edhe për sfidën tjetër që e ka Kosova pas Demarkacionit, e që është Asocciacioni i Komunave me shumicë serbe.
Kryetari Gjini tha se nuk e beson që do të ndodhë një Asociacion me kompetenca ekzekutive. Ai shpjegoi se çdo ekzekutiv, nuk mund të funksionojë nëse nuk e ka një legjislativ, pasi që nuk mund t’ i bëjë ligjet vet. Për këtë arsye, Asociacioni i komunave serbe nuk mund të jetë me kompetenca ekzekutive pasi që i duhet ta ketë edhe legjislativin, ndërsa legjislativi është organ përfaqësues, tha Gjini.
Në fund të kësaj ligjërate pati edhe një debat ku studentët e Kolegjit AAB parashtruan pyetje të cilave iu përgjigj kryetari i Gjakovës, Adrian Gjini.