Ambadori hungarez, Márkusz: Kuvendi të marrë sa më parë vendimin për themelimin e speciales

4 Maj 2015

Ambasadori i Hungarisë, László Márkusz, në ligjëratën  “Politika e jashtme e Hungarisë”, e cila u zhvilluar në kuadër të lëndës Politika e jashtme, te mësimdhënësi  Nexhmendin Sapahiu,  në  Universitetit AAB, deklaroi se Kuvendi i Kosovës duhet sa më shpejtë të marrë vendimin për themelimin e gjykatës speciale. “Është e domosdoshme që të themelohet ky tribunal nga Parlamenti i Kosovës. Kjo është në interes të të gjithë qytetarëve të Kosovës. Nëse këto akuza vërtetohen se kanë qenë fallco, atëherë një trup ndërkombëtarë do ta konfirmojë këtë se akuzat janë fallco”, theksoi ai. I pyetur se a është e drejtë që kjo gjykatë të gjykojë vetëm shqiptarët e jo serbët, ambasadori hungarez këtë e arsyetoi duke thënë se Tribunali për ish-Jugosllavinë ka gjykuar shumë raste të krimeve të cilat i kanë bërë serbët. “Gjithashtu, në Serbi ka gjykatë e cila po i trajton krimet e luftës në Kosovë.  Pavarësisht Gjykatës së Hagës, ka gjykata që i gjykojnë këto raste. Kështu që, unë nuk e shoh këtë si një rast unik, këtë rast për Kosovën, pasi që të gjitha këto vende kanë në një mënyrë ose në një tjetër gjykata për krime të luftës”, vlerësoi Márkusz.

Ai në këtë ligjëratë për studentët e AAB-së foli edhe për refugjatët kosovarë, ku tha se kampet për refugjatë në Hungari nuk kanë qenë ashtu si është raportuar, por se i kanë plotësuar kushtet e nevojshme dhe çdo gjë ka qenë në rregull. Márkusz tha se gjatë vizitës që kishte ministri i jashtëm i Kosovës, Skender Hyseni në kampet e Hungarisë për të parë gjendjen e emigrantëve nga Kosova, nuk kishte gjetur asnjë emigrant kosovar, pasi që këta të fundit të gjithë kishin kaluar në vendet e tjera evropiane, kryesisht në Gjermani dhe Austri.

Diplomati hungarez foli edhe për marrëdhëniet ekonomike të shtetit të tij me Kosovën, ku tha se shkëmbimet tregtare mes këtyre dy vendeve ende janë të ulëta, rreth 40 milion shkëmbime tregtare në vit, por që në të ardhmen këto do të intensifikohen sa më shpejt të jetë e mundur.Márkusz tha se Hungaria e përkrah Kosovën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duke thënë se për ta bërë këtë, duhet të ketë një ngritje ekonomike.

Në këtë ligjëratë për studentët e AAB-së, ai foli edhe për historikun e shtet formimit të Hungarisë së sotme nga periudha e mesjetës, periudhat e luftës së Parë dhe të Dytë Botërore, periudhën e komunizmit në këtë shtet e deri në vitin 1990, ku për herë të parë në këtë shtet janë mbajtur zgjedhjet demokratike dhe është hartuar kushtetuta e re që e rregullon këtë shtet me sistem parlamentar, ku rolin kryesor në pushtet e ka shefi i ekzekutivit. 

Në fund të kësaj ligjëratë u mbajt edhe një debat, ku studentët e Universitetit AAB parashtruan pyetje të cilave iu përgjigj ambasadori hungareze në Kosovë, László Márkusz.

 

Share: