Ambasada Amerikane në Prishtinë dhe Kolegji AAB sjellin ekspertin e sigurisë kibernetike, Fulbright Specialist, prof.William Butler në Kosovë

1 Tetor 2019

Me përkrahjen e Ambasadës Amerikane në Prishtinë, në Fakultetin e Shkencave Kompjuterike të Kolegjit AAB, nga data 17 deri 30 nëntor 2019, do të qëndrojë për vizitë pune eksperti i sigurisë kibernetike, Fulbright Specialist, prof.William Butler nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Prof.Butler, do të vijë në Kosovë në sajë të projektit të Kolegjit AAB „Sfidat e sigurisë kibernetike në vendet në zhvillim“ të fituar nga Fulbright.

Qëllimi i projektit është të përmirësojë politikat ekzistuese të sigurisë në Kosovë duke përdorur teknologji të përparuar dhe praktikat më të mira të zbatuara sot.

Studentët, profesorët dhe profesionistët e tjerë nga industria do të kenë mundësinë të mësojnë praktikat më të mira për të mbrojtur infrastrukturën e rrjetit dhe të dhënat e ndjeshme.

Profesori William (Bill) Butler është udhëheqës i Programit të Sigurisë Kibernetike dhe drejtor i Qendrës për Infrastrukturë Kritike dhe Mbrojtje Kibernetike (CICPC) në Universitetin e Teknologjisë Capitol, në Washington D.C.. Ai ka përvojë mbi 20 vjeçare si inxhinier i rrjetave dhe këshilltar në industrinë e rrjetave dhe të teknologjisë informative.

Ka shërbyer gjithashtu si kuadër i kualifikuar në sistemet e informacionit dhe komunikimit në Trupat e Marinës Amerikane.

Ai vazhdon të japë kontributin e tij edhe në shumë grupe punuese, si National Institute of Standards and Technology, Cloud Computing Security Forum Working Group (NIST CCSFWG), Cloud Security Alliance (CSA) Big Data and Mobile Computing Working Group, National CyberWatch Center Curriculum Taskforce si dhe National Cybersecurity Student Association Advisory Board.

Studimet e doktoraturës, prof..William Butler i mbaroi në Universitetin e Teknologjisë Capitol, në vitin 2016, në fushën e sigurisë së telefonave celularë të orientuar te konsumatori.

Interesimet e tij kërkimore shtrihen gjithashtu në mbrojtjen e infrastrukturës kritike dhe zhvillimin e cloud modeleve dhe metodave të sigurisë në luftimin e krimit kibernetik ndërkombëtar.

Kolegji AAB do të jetë partneri kryesor për hulumtime në fushën e sigurisë kibernetike dhe do të luajë rolin kryesor në studimin dhe zgjidhjen e problemeve që lidhen me sigurinë në internet në Kosovë dhe në rajon.

Projekti do të menaxhohet nga Dr.sc. Arianit Maraj, Flubright Alumni, i cili është profesor në Fakuletin e Shkencave Kompjuterike në AAB, ndërsa lidhja midis Kolegjit AAB dhe prof.William Butler, do të vazhdojë të funksionojë edhe pas përfundimit të këtij projekti.

Share: