Ambasadori francez, Didier Chabert: “Nuk u kërkua demarkacioni i kufirit me Serbinë sepse do të ishte jorealiste. Demarkacioni i kufirit me Malin e Zi, nuk duhet të jetë problem për Kosovën”

22 Prill 2017

Gjatë një ligjërate me studentët e Kolegjit AAB, Ambasdori francez në Kosovë, Sh. T. Didier Chabert, ka folur për diplomacinë publike dhe për sistemin politik francez. Ai ka shpalosur detaje që nga themelimi i Republikës franceze deri në sistemin aktual politik duke vërë thekse edhe mbi diplomacinë franceze dhe raportet me BE-në.

Në këtë ligjëratë në të cilën studentët u fokusuan në temat që ndërlidhin ndikimin e Francës në raport me Kosovën, ambasdori Chabert ka folur edhe për intergritetin territorial të Kosovës, demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, çështjen e ish kryeministrit të Kosovës, z.Ramush Haradinaj, etj..

Chabert ka thënë se për Francën, Kosova është një vend plotësisht sovran, me të gjitha premisat e një vendi  të pavarur: “Për mua Kosova është një vend plotësisht sovran. Ne jemi vendi i dytë në Evropë (pas Gjermanisë) që e kemi pranuar pavarësinë e Kosovës, edhe para ShBA. Për ne Kosova është një vend që ka të gjitha dispozitat e një vendi të pavarur”.

Ndërsa sa i përket çështjes së liberalizimit të vizave për kosovarët, ambasadori francez ka theksuar se kriteret e vendosura nga Bashkimi Evropian për këtë çështje përkojnë me kohën kur Kosova ka fituar të drejtën dhe perspektivën për fillimin e procesve të integrimit në BE. Ai ka thënë se demarkacioni i kufirit me Malin e Zi, nuk duhet të jetë problematik për Kosovën dhe se fajin për mosratifikimin e kësaj marrëveshjeje ua ka hedhur deputetëve të Kuvendit të Kosovës: “…Unë mendoj se Mali i Zi është vend mik i Kosovës, i cili ka pranuar rreth 1 milion kosovarë gjatë luftës. Prandaj konsideroj se nuk duhet të ketë vështirësi për demarkacionin e kufirit me një shtet mik, siç është Mali i Zi. Askush nuk ka parashtruar kusht për demarkacionin e kufirit me Serbinë, sepse e dimë që ajo nuk do të ishte realiste, dhe nëse ky kusht nuk është plotësuar, atëherë pyesni deputetët tuaj dhe mos kërkoni përgjigje nga BE, sepse në Parlamentin e Kosovës nuk voton BE por votojnë të zgjedhurit tuaj! Prandaj, nëse jeni të shqetësuar pse nuk është plotësuar ky kusht atëherë e keni adresën se ku të drejtoheni”, ka theksuar Chabert.

Gjatë këtij takimi me studentët, të ambasadorit francez, pati pyetje edhe për çështjen e ish kryeministrit të Kosovës, z.Ramush Haradinaj, i cili është ndaluar nga autoritetet franceze pas një mandatarresti të lëshuar nga Serbia.

Në lidhje me këtë diplomati francez ka thënë se z.Haradinaj po mbahet në bazë të një fletarresti që nuk korrespondon me dy herët e para për të cilat z.Haradinaj është shpallur i pafajshëm. Ky mandatarrest përfshin një periudhë tjetër kohore dhe aktakuza të tjera, andaj gjyqësia franceze ka qenë e obliguar ta shqyrtojë atë. Ndoshta më mirë do të duhej të merremi me çështjen se pse nuk janë tërhequr këto fletëarreste të lëshuara nga Serbia, nga vendet e tjera, ka thënë ambasadori Didier Chabert.

Takimet e studentëve të AAB-së, me ambasadorë të vendeve të ndryshme në Kosovë tashmë janë bërë tradicionale. Ditët në vijim në mesin e studentëve të AAB-së pritet të vijnë edhe diplomatë të shteteve të tjera.

Share: