Ambasadori i OSBE-së në Kosovë, Jan Braathu, mbajti ligjëratë për studentët e Kolegjit AAB

12 Dhjetor 2019

Në një ligjëratë të organizuar nga Fakulteti Ekonomik, ambasadori i OSBE-së në Kosovë, Jan Braatthu, ka folur me studentët e AAB-së, për historikun, rolin dhe investimet ndërkombëtare në Kosovë, e në veçanti për misionin e OSBE-së.

Braathu tregoi se ndërkohë që OSBE në Kosovë, sivjet shënon 20 vjetorin e prezencës së tij, ky është misioni i tretë i këtij organizimi ndërkombëtar. I pari mision që ishte vendosur në vitin 1992, për të monitoruar situatën në Vojvodinë, Sanxhak e në veçanti në Kosovë, ishte tërhequr pas tetë muajsh në periudhën kur në vendet e ish-Jugosllavisë po shpërthenin luftërat dhe tensionet ishin gjithnjë të rritura.

Misioni i dytë u vendos në vitin 1998, kur në pranverë të këtij viti situata në Kosovë përsëri u bë e rrezikshme. Në gusht të 1998 sipas UNHCR kanë qenë 350 mijë persona të zhvendosur brenda Kosovës, të cilët iknin nga forcat paramilitare e ushtarake serbe.        

Misioni u quajt Misioni Verifikues i Kosovës, i cili numëronte rreth dy mijë persona, e që u vendos në tetor 1998, pas marrëveshjes së ShBA për armëpushim me presidentin e atëhershëm të Jugosllavisë, Millosheviq.

Ambasadori Braathu më pas tregoi për misionin aktual të OSBE-së, duke treguar edhe për mënyrën e funksionimit të tij me 57 shtetet anëtare.

Sipas tij, detyra parësore e misionit në Kosovë ka qenë të ndihmohet në themelimin e institucioneve dhe ne e kemi bërë pikërisht këtë.

“Parlamenti i Kosovës është i themeluar  nga OSBE, duke ndihmuar kështu krijimin e institucioneve qeveritare, duke mbështetur insitucione të pavarura si Avokatin e Popullit, Komision e Zgjedhjeve, RTK-në, Komisionin e Pavarur të Mediave, Policinë e Kosovës (duke trajnuar rreth 7000 policë), etj.. Tani ne punojmë bashkë me këto institucione që ato ta kryejnë punën e tyre sa më mirë”, theksoi Braathu.

Duke folur për përbërjen aktuale të Misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadori Braathu tha se edhe pse ky organizëm është ndërkombëtar, nga 504 persona, vetëm 117 nga ta janë ndërkobëtar, e që është veçanti e këtij misioni.

“Unë jam shumë shumë krenar për kolegët e mi kosovarë, njerëzit që kanë punuar qe 20 vjetsepse janë të shkëlqyeshëm”, tha ai.

Ambasadori i OSBE-së theksoi se zgjedhjet e organizuara së fundmi në Kosovë, kanë qenë zgjedhjet më të mira në rajon, ku njerëzit kanë ruajtur qetësinë, kanë votuar, kanë respektuar procedurat dhe çdo gjë ka qenë mirë.

Ndërsa duke folur për arsimin në vendin tonë, ai përgëzoi Kolegjin AAB për investimet e bëra, duke theksuar se ky është një riinvestim në cilësinë e arsimit.

 

Share: