Ambasadori malazez, Miljaniq: Nuk duam ta marrim asnjë metër territor të Kosovës

24 Prill 2015
Në vazhdën e vizitave të njëpasnjëshme të ambasadorëve të akredituar në Kosovë, sot Kolegjin AAB e vizitoi ambasadori i Malit të Zi në Kosovë, z. Radovan Miljaniq.
 
Gjatë takimit me studentët e AAB-së,ambasadori malazez ka folur për shtetin që e përfaqëson dhe marrëdhëniet diplomatike të vendit të tij në raport me Kosovën dhe me vendet e tjera. Ndër të tjera, ai nuk ka lënë pa përmendur edhe çështjet e aktualitetit me të cilat ballafaqohen shoqëritë tona.
 
“Me Kosovën dhe me të gjithë fqinjët tjerë, ne duam te kemi raporte të mira fqinjësore”, ka thënë ai.. “Ne nuk duam të marrim asnjë metër territor të Kosovës. Marrëveshjen e 19 Prillit mes Kosovës e Serbisë në Bruksel e konsiderojmë gurë-themel  të pajtimit shekullor mes shqiptarëve dhe serbëve “ , ka theksuar ambasadori Miljaniq.
Ai po ashtu tha se koha kur Mali i Zi, Kosova, Shqipëria e Maqedonia do të kenë ambasada e konsullata të përbashkëta nuk është e largët.
 
Duke folur për Gjykatën Speciale, ka thënë  se Kosova duhet të ballafaqohet me të kaluarën dhe se krimet duhet të dënohen. “Unë, si diplomat i huaj nuk do të vendos në cilëndo anë. Udhëheqësja e Kosovës është e mençur dhe do ta gjejë zgjidhjen e drejtë.  Nuk jam as në anën e pushtetit e as në anën e opozitës, por do ta them mendimin tim. Pa ballafaqim të plotë me të kaluarën, nuk do të ketë përparim për Kosovën. Secili krim është krim, dhe ai meriton drejtësinë dhe dënimin. Kosova do të dalë nga kjo sigurisht. Ka pasur gjëra më të vështira dhe Kosova i ka tejkaluar”, është shprehur Ambasadori i Malit të Zi në Prishtinë, RadovanMiljaniq.
 
Ambasadori i Malit të zi në Kosovë, Radovan Miljaniq,  në fund është  përgjigjur edhe në një varg pyetjesh të shtruara nga studentët e AAB-së.

Share: