Në kuadër të ligjëratave speciale me diplomatë të huaj për studentët e Shkencave Politike dhe Diplomacisë të Kolegjit AAB, sot një ligjëratë të tillë e zhvilloi ambasadorja e Finlandës në Republikën e Kosovës, Pia Stjernvall.
Ajo në këtë ligjëratë para studentëve të Kolegjit AAB, mes tjerash foli për takimin e para një jave që kishte me Marti Ahtisarin, me të cilin tha se biseduan rreth pakos së tij për Kosovën.
“Ahtisari më tha që ai dëshiron që Kosova t’a ketë një shoqëri ashtu si e ka Finlanda. Ai ka shumë ndjenja për Kosovën. Sa i përket pakos për Kosovën, Ahtisari më tha se në Kosovë shumëçka nga kjo pako është keqkuptuar dhe se nuk e ka ditur që Serbia ende mund të vazhdojë të ketë shumë ndikim në Kosovë”, u shpreh ambasadorja Stjernvall, duke shtuar se Kosova duhet t’a rishqyrtojë pakon e Ahtisarit dhe të marrë më shumë përgjegjësi.
Duke folur për misionin e diplomacisë finlandeze në Kosovë, ajo tha se ky mision përfshinë kryesisht fokusimin në rini, pastaj ta mbështesë Kosovën në proceset integruese në BE dhe në mekanizmat e tjerë ndërkombëtarë.
Sa i përket arsimit, pasi që Finlanda edhe njihet si vendi me sistemin më të mirë arsimor në botë, ambasadorja e Stjernvall tha se për ta ngritur cilësinë në arsim, Kosova duhet të investojë sa më shumë në përgaditjen e mësimdhënësve.
Në këtë ligjëratë për studentët e AAB-së, ambasadorja e Finlandës foli edhe për historikun e shtet formimit të Finlandës që nga periudha e mesjetës, luftërat që kishin me Rusinë e më vonë me Bashkimin Sovjetik, pastaj për shpalljen e pavarësisë më 1917, luftën civile, rindertimin e vendit në vitet 60-70 si dhe konsolidimin e shoqërisë në vitete pasuese.
Ajo tregoi se si në vitin 1995, për shkak rënies së ndikimit në diplomacinë ndërkombëtare të Rusisë, Finlanda arriti që të integrohet në Bashkimin Europian, pastaj foli për mos hyrjen e shtetit në NATO.
“Janë 59% e finlandezëve që janë kundër hyrjes në NATO, me arsyen se nuk duan që ushtarët tanë të luftojnë për diçka që nuk ka të bëjë me shtetin tonë”, u shpreh ajo.
Në fund të kësaj ligjërate u zhvillua edhe një debat, ku studentët e Kolegjit AAB parashtruan pyetje të cilave iu përgjigj diplomatja finlandeze Pia Stjernvall.