Studentët e Fakultetit të Gjuhës Gjermane në Kolegjin AAB, organizuan aktivitetin e leximit dhe interpretimit letrar, i cili kishte në fokus analizën e veprës së shkrimtarit austriak Stefan Zweig, “Brief einer Unbekannten” (Letra e një të panjohure).
Përmes një fragmenti të përzgjedhur nga novela, studentët u angazhuan në një lexim të thelluar të tekstit, duke eksploruar shtresat e tij kuptimore dhe estetike, si dhe sfidat përkthimore të kësaj vepre letrare.
Nën drejtimin e profesorëve Shkurte Veliu – Ajdini, Miradije Miftaraj Bytyqi dhe Armend Bytyqi, studentët trajtuan personazhet, motivet e tyre të fshehura, atmosferën emocionale dhe mjetet artistike që përdor shkrimtari, duke diskutuar se si këto elemente mund të ruhen në gjuhën e përkthimit.
Krahasimi i pikëpamjeve të ndryshme ndërmjet studentëve nxori në pah shumëllojshmërinë e intepretimeve që mund të ofrojë një tekst i shkruar me mjeshtëri. Kështu, aktiviteti shënoi një hap përpara në formimin e aftësive kritike dhe gjuhësore të studentëve, duke analizuar një nga autorët më të shquar të letërsisë botërore.


