“Ne nuk e kemi njohur Pavarësinë e Kosovës, por kemi thënë që nuk e përjashtojmë mundësinë që ta njohim. Kjo është pikë që duhet ta kemi si referencë. Në mesin e pesë vendeve anëtare të BE-së, ne jemi më fleksibil”. Kështu u shpreh shefja e Zyrës Ndërlidhëse të Greqisë në Prishtinë, ambasadorja Konstantina Athanassiadou, në një ligjëratë të mbajtur për studentët e Kolegjit AAB.
“Unë nuk hezitoj të them që ne, ofrojmë ndihmë teknike për çdo gjë që nevojitet. Fjalët që janë përdorur dhe po përdoren në marrëveshje e dhe kompromise sa i përket vendimeve të organizmave ndërkombëtarë janë kontribut i Greqisë. Ne nuk i përfaqësojmë pesë vendet e BE-së, që nuk e kanë njohur Pavarësinë e Kosovës, por ndihmojmë në gjetjen e kompromiseve”, theksoi ambasadorja greke, Konstantina Athanassiadou.
Ambasadorja greke në Kosovë, ka përmendur edhe ndihmat konkrete që Greqia i ka bërë Kosovës në anëtarësimin e saj në organizatat ndërqeveritare, si:
“Në vitin 2009, ne kemi votuar që Kosova të futet në Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN). Në vitin 2011, kemi votuar që Kosova të jetë anëtare e Bankës Evropiane për Ndërtim dhe Zhvillim (BERZH). Poashtu, në vitin 2013 e kemi përkrahur Kosovën në Komisionin e Venecias të Këshillit Evropian”, ka theksuar ajo.
Athanassiadou, gjithashtu tha se që nga prilli, në misionin diplomatik në Prishtinë e kanë edhe sistemin e plotë të vizave Shengen, që sipas saj, kjo gjë tregon edhe një qëndrim të Greqisë ndaj Kosovës. “Kosova ka një perspektivë të qartë euroatlantike, ne e përkrahim perspektivën evropiane të saj. Kosova është vend fqinj i yni dhe jeni të mirëseardhur edhe si turistë”, tha diplomatja greke.
Lidhur me atë se çfarë e pengon Greqinë që ta njohë Kosovë, diplomatja greke theksoi se “ne nuk flasim për pengesën, ne flasim për rrugën që do ta ndjekim. Në një moment të duhur do të marrim vendimin e duhur. Kjo është një çështje që kërkon një momentum të duhur politik”.
Janë shumë faktorë që kanë të bëjnë me këtë punë, situata e brendshme politike, rajoni, konstituimi i Qeverisë, e shumë faktorë të tjerë që imponojnë një proces që nuk është shumë i thjeshtë. Kemi një qark të mbyllur në politikën greke, është një çështje që unë do ta diskutoj me qeverinë e ardhshme greke”, u tha studentëve të Kolegjit AAB, ambasadorja Konstantina Athanassiadou.
Në këtë këtë ligjëratë me temën “Politika e jashtme e Greqisë”, Athanassiadou, foli edhe për historikun e themelimit të kombit modern grek, i cili me vitin 2021 do të festojë 200 vjetorin e lindjes.
Në fund të kësaj ligjërate u mbajt edhe një debat ku studentët e Kolegjit AAB parashtruan pyetje të cilave iu përgjigj ambasadorja, Konstantina Athanassiadou.