Me një përshkrim historik për rrjedhën e krijimit të shtetit austriak, qysh nga koha e Perandorisë austriake e deri në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, ambasadori i Austrisë në Kosovë, Sh.T. Christoph Weidinger, e nisi ligjëratën e tij speciale për studentët e Fakultetit të Administratës Publike në Kolegjin AAB.
“Austria ishte një perandori multi-etnike, shumë-gjuhësore dhe multi-religjioze, dhe këto karakteristika e bënin të veçantë atë. Por, në vitin 1918, pas Luftës së Parë Botërore, Austria më nuk ishte një perandori me 55 milion banorë. Austria u zvogëlua në shtetin që njohim sot dhe kishte vetëm 6 milion banorë”, tha ambasadori austriak.
Ai tha se Austria ka pasur vite të vështira ekonomike dhe politike qysh nga vitet e 30-ta deri 10 vite pas Luftës së Dytë Botërore ku së pari u aneksuan nga Gjermania dhe pastaj u okupuan nga forcat aleate të Bashkimit Sovjetik, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Francës dhe Britanisë. Pas 10 vitesh nën okupim, Austria pranoi të bëhej shtet neutral dhe fitoi pavarësinë e saj në vitin 1955, tregoi diplomati austriak.
“Një tjetër moment historik i shtetit tonë është anëtarësimi ynë në Bashkimin Evropian. Ky anëtarësim mori shumë kohë; qysh kur Bashkimi Evropian nisi si një projekt i paqes deri në vitin 1995 kur përfunduam bisedimet dhe u bëmë zyrtarisht pjesë e këtij bashkimi”, shpjegoi Ambasadori Weidinger.
Ambasadori austriak, theksoi se Austria është një vend i paqes, pavarësisht asaj se kishte një të kaluar me luftëra të shumta: “Austriakët, si popull anojnë drejt konsensusit e jo drejt konfrontimit, prandaj jemi një ndër shtetet me numrin më të vogël të protestave, një shtet ku dominon paqja në shoqëri”, tha ai.
Duke folur për politikën e jashtme të Austrisë, karshi Kosovës, ambasadori Weidinger tha se Austria është një ndër vendet e huaja më aktive në Kosovë dhe gjithashtu një mik i vërtetë i saj. “Austria është investitori i huaj i katërt më i madhi në Kosovë dhe gjithashtu punëson shumë persona nga Kosova në firmat e tyre sepse në Kosovë ka shumë të rinj të talentuar, veçanërisht në fushën e TI-së. Austria është donatori më i madh në fushën e edukimit të lartë dhe prioritet të lartë i kushton gjithashtu aftësimit profesional dhe partneriteteve biznesore. Ne u ndihmojmë bizneseve të vogla në fusha të ndryshme dhe posaçërisht në fushën e agrokulturës. Vlen të ceket se Austria gjithashtu kontribuon në sigurinë e Kosovës duke qenë pjesë e KFOR-it. Pra, të gjitha këto bëjnë Austrinë një vend shumë aktiv, që punon për mirëqenien e Kosovës si shtet”, nënvizoi Weidinger.
Ai vazhdoi bashkëbisedimin me studentët e Kolegjit AAB, duke theksuar se kjo ligjëratë ishte një kënaqësi e veçantë për të dhe se hapësirat moderne të Kolegjit AAB i kanë lënë shumë përshtypje sepse janë më moderne se ato në kolegjet ku ai vetë kishte studiuar.