Njëra ndër temat më të përfolura jo vetëm në Kosovë por edhe në botë, ishte temë diskutimi edhe në Kolegjin AAB.
Të ftuar në këtë diskutim ishin panelistët, Lulzim Ismajli, zv.guvernator i Bankës Qëndrore të Kosovës, Ermal Sadiku, specialist i kriptovalutave; Blerim Rexha, specialist i sigurisë në internet dhe Besfort Mehmeti, shfrytëzues i kriptovalutave.
Ermal Sadiku, në fjalën e tij tregoi para studentëve se si funksionojnë kriptovalutat, cili është qëllimi i tyre dhe çfarë mund të ndodhë në të ardhmen me këto valuta digjitale. Ai, duke treguar një historik të kriptovalutave, tregoi se për çfarë janë krijuar ato dhe për çfarë përdoren sot. Megjithatë, Sadiku u bëri thirrje studentëve që të fokusohen më shumë në studime dhe në zhvillimin e tyre professional, se sa të shikojnë mundësitë e investimit në këto para. “Duhet të keni kujdes dhe si pikë kryesore t’ i merrni studimet dhe mësimet për përdorimin e programeve që posedon kjo para, ka njerëz të shumtë që kanë fituar shuma të mëdha, por mos harroni që ka të tjerë që kane pësuar humbje të shumta. Për ju më e rëndësishme është të fokusoheni se si funksionon teknologjia Blockchain”, shtoi Sadiku.
Ndërsa, zv.Guvernatori i BQK-së, Lulzim Ismajli, në fjalën e tij tha se BQK-ja nuk ka asnjë lidhje me këto kriptovaluta dhe nuk garanton asgjë për to.
“Ne kemi bërë me një kumtesë qysh në qershor të këtij viti, kur vlera e një Bitcoin-i ka qenë shumë më e vogël. Qëllimi i Bankës Qendrore në atë kohë ka qenë që ta bëjë me dije opinionin se, secili investim i tyre në këto instrumente përbën rrezik dhe se rrezikun e bartin vet ata që investojnë, sepse Qeveria e Kosovës dhe asnjë institucion financiar brenda vendit edhe jashtë vendit nuk qëndron prapa Bitcoin-it. Ne si Bankë Qendrore i përcjellim të gjitha politikat e Bankës Qendrore Evopiane dhe i implementojmë këto politika në Kosovë”, tha Ismajli. Ai gjithashtu ka thënë se Banka Qendrore, mbase në të ardhmen mund ta marrë për bazë mënyrën se si funksionon sistemi blockchain.
Në këtë tryezë, për sigurinë kibernetike të përdorimit të këtyre valutave foli Prof.dr. Blerim Rexha, specialist i kësaj lëmie, i cili poashtu e vlerësoi si shumë të rëndësishme për studentët studimin e mënyrës së teknologjisë blockchain, ndërsa ka theksuar rreziqet dhe sigurinë e brishtë kibernetike në këtë veprimtari. Ndërsa, Besfort Mehmeti, përdorues i këtyre valutave dixhitale. Ky i fundit tha se ka pretendime që në të ardhmen të ketë rritje të madhe të kësaj valute, dhe njëra ndër arsyet e këtij investimi ka qenë fitimi, për më tepër ai thotë se në të ardhmen bitcoini do të përdoret në të gjitha shtetet, pasi që deri tani nga shumë shtete është pranuar si para e huaj.
Bitcoin është kriptovaluta e parë e prodhuar ndërsa vlera e saj tashmë sillet rreth 15 mijë euro.