Në kuadër të realizimit të projektit “A jam e barabartë në shoqërinë kosovare”, përkatësisht të “16 ditë aktivizim, stop dhunës ndaj gruas”, të përkrahur nga UNDEF, në Kolegjin AAB u mbajt diskutimi mbi barazinë gjinore në shoqërinë kosovare. Me theks të veçantë u diskutua roli dhe fuqizimi i gruas në shoqërinë kosovare, problematikat dhe shqetësimet që mbart pozicioni i saj, si dhe fuqizimi i saj në vendimmarrje si në vendet tjera demokratike dhe me ekonomi të zhvilluar. Në këtë aktivitet morën pjesë: Alma Lama, deputete e LDK-së në Kuvendin e Kosovës, Jeta Xharra, drejtoreshë e BIRN Kosova, Lule Demolli, Qendra Kosovare për Studime Gjinore, dhe Basri Kastrati, udhëheqës i Zyrës për Mbrojtje dhe Ndihmë Viktimave.
Me këtë rast deputetja Alma Lama, në diskutimin e saj ka thënë se është përkrahëse e madhe e kuotës në Parlamentin e Kosovës, sepse kjo kuotë rregullon padrejtësitë e kamotshme ndërmjet dy gjinive. Gjendjen e ilustroi me shembuj nga Parlamenti Evropian, që sipas Lamës, futja e kuotave implikon jo vetëm aspektin e përfaqësimit, por ndikon edhe në shumë aspekte të tjera, si zbatohen ato norma në institucione, në shoqëri në përgjithësi dhe atë në etapa të ndryshme. “Dikush thjesht mund të mendojë se gratë janë dekor në Parlamentin e Kosovës, gjë që nuk pajtohem, sepse janë shumë të zëshme. Bile, në fushatën e fundit, kudo që kam shkuar, të gjithë votuesit që i kam takuar, më kanë thënë se do t’i votojnë gratë, çka do të thotë se votuesit kanë besim te gratë. Në partinë time, në LDK, gratë janë votuar shumë më shumë”, ka thënë deputetja Lama.
Ndërkaq, Basri Kastrati, përveç që foli për historinë e Zyrës që drejton, ai tha se kjo zyre ka për detyrë t’i mbrojë interesat e viktimave në sistemin e drejtësisë penale në Kosovë. Po ashtu, Kastrati tha se statistikat që kanë kërkuar ndihmë në këtë qendër, flasin se në vitet e fundit është shënuar rritje në vetëdijesimin e gruas në shoqërinë kosovare. Një gjë e tillë është arritur falë infrastrukturës ligjore në Kosovë, e cila padyshim se është më e mira në rajon sa i përket mbrojtjes së të drejtave të gruas, por që ende zbatimi i tij lë për t’u dëshiruar, përfundoi Kastrati.
“Puna dhe pavarësimi ekonomik janë mjet mbrojtës ndaj dhunës së grave”, ka thënë Jeta Xharra, dhe shtoi se pavarësimi ekonomik i gruas është një ndër shkaqet kryesore pse ajo e duron dhunën në familje dhe lejon t’i bëhen shumë të padrejta. Ajo përmendi edhe disa statistika, ku një ndër to ishte çështja e trashëgimisë së pronës familjare ku më shumë se 90% të femrave deklarojnë se pjesën e saj ua lënë vëllezërve.
Ndërkaq, Lule Demolli shtoi se pozita në të cilën është sot gruaja, është shumë e vështirë, sidomos në sektorin e punësimit.
Në fund të debatit u tha se barazia në mes të dy gjinive është vlerë më themelore për zhvillimin demokratik të shoqërisë në përputhje me standardet evropiane dhe ndërkombëtare.
Në fund të këtij debati studentët e AAB parashtruan pyetje duke cituar raste të viktimave të fundit në Kosovë, të cilat raste kanë tronditur edhe vendet demokratike.