Në një ceremoni solemne të organizuar në ambientet e Kolegjit AAB, ish rektori Prof.Dr. Bujar Demjaha, është nderuar me çmimin prestigjioz “Profesor Honoris Causa”, si vlerësim për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në zhvillimin e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor.
Ceremonia u hap nga prorektorja e Kolegjit AAB, Venera Llunji, e cila tha se me këtë rast nderohet një nga figurat më të shquara të komunitetit akademik.
“Ky nderim për Profesor Demjahën përfaqëson jo vetëm një vlerësim institucional, por edhe një mirënjohje të thellë për kontributin e tij të çmuar akademik, profesional dhe njerëzor, si dhe për ndikimin e tij të vazhdueshëm në zhvillimin e arsimit të lartë dhe të mendimit shkencor”, tha Llunji.
Rektori i Kolegjit AAB, Prof.Dr. Blerim Olluri, ndërsa ndau çmimin vlerësoi lart figurën dhe veprimtarinë e Prof.Dr. Bujar Demjahës, duke e cilësuar si një personalitet me ndikim të veçantë në historinë e institucionit. Ai theksoi edhe ndikimin e tij në fushën e arkitekturës, urbanizimit dhe planifikimit hapësinor.
“Prof. Dr. Demjaha ka ndërtuar një karrierë të spikatur, kombëtare e ndërkombëtare, duke bashkuar mjeshtërinë profesionale me vizionin për një shoqëri më të zhvilluar dhe një mjedis të planifikuar me integritet dhe kreativitet. Ai nuk ka projektuar vetëm hapësira fizike por edhe ka kontribuar në formësimin e mënyrës se si i perceptojmë, i jetojmë dhe i zhvillojmë ato”, tha Olluri.
Akademiku Lulzim Tafa, e cilësoi nderimin me titullin “Profesor Honoris Causa” të Prof.Demjahës, si plotësisht të merituar, ndërsa shtoi se vepra dhe angazhimi i tij do të mbeten referencë e rëndësishme për brezat e ardhshëm akademikë dhe intelektualë.
Në fjalimin e tij, Prof. Dr. Bujar Demjaha, u shpreh i nderuar dhe falënderues për këtë çmim, duke theksuar se suksesi në arsim është gjithmonë rezultat i punës së përbashkët. Ai shtoi se investimi në dije, kërkim shkencor dhe formimin e brezave të rinj është një nga shtyllat kryesore të zhvillimit të shoqërisë.
Kolegji AAB falënderon Prof.Dr. Bujar Demjahën për kontributin e tij që ka lënë gjurmë të thella në arsimin e lartë, dhe do mbetet referencë për brezat e ardhshëm akademikë.


