Komunikimi dhe Informacioni në Epokën e Mediave Sociale dhe Fake News

Prishtinë: 11.06.2022 - 11.06.2022

Tipi: Konferencë studentore shkencore (për studentët e masterit)

Në epokën e hipermedias (Deibert, 2002), përdorimi i gjerë i teknologjisë dixhitale ka ndryshuar mënyrën e të bërit biznes, ka ndryshuar komunikimet sociale midis njerëzve, por edhe komunikimet e qeverisë me publikun. Ndërveprimi ka ndryshuar dhe është bërë më i shpeshtë dhe fuqizues. Politikanët dhe diplomatët përdorin gjithnjë e më shumë teknologjinë dixhitale dhe mediat sociale për të përhapur mesazhet e tyre. Fshati global i McLuhan (1962) tashmë është duke funksionuar. Aktorët shtetërorë dhe joshtetërorë komunikojnë mesazhe politike që i përçojnë përmes mediave, përfshirë vendet që nuk kanë marrëdhënie diplomatike (Saliu, 2018, 2022a) ose kohët e fundit komunikohet publikisht me aktorë shtetërorë të vendeve të tjera edhe në kohë lufte. Të kësaj natyre mund të konsiderohen edhe komunikimet e presidentit ukrainas Zelensky me parlamentarët e demokracive perëndimore gjatë agresionit rus. Përmes mediave e platformave, ai hyn dhe u drejtohet parlamenteve të vendeve të ndryshme, duke u nisur që nga ai i fundit, të Shqipërisë, Francës, Britanisë, Kongresit Amerikan etj. Hyrja në asambletë e vendeve demokratike dhe adresimi i tij në kohë reale (përmes media) dhe njëkohësisht qëndrimi i tij fizik në luftë, gjithashtu paraqet një transformim të komunikimeve të sotme. Shtetet, aktorët joshtetërorë, institucionet ndërkombëtare, lëvizjet sociale dhe 4.5 miliardë njerëz që sot kanë qasje në internet, janë të gjithë transmetues mesazheve dhe luajnë rol në politikën globale (Crilley, Manor & Bjola, 2020). 

Gjithashtu njerëzit kultivojnë brendin e tyre profesional (Evans, 2017) dhe menaxhojnë atë  në kontekstin e marrëdhënieve me publikun (Cardoso, Aguileta & Lago, 2020), në facebook (Gil, 2022), apo edhe në profile të tjera sociale (Pruchniewska (2018).  

Jeta përgjithësisht është mediatizuar. Mediatizimi në dy dekadat e fundit është kthyer në një koncept të ri ankorues në media (Hepp, Breiter & Hasebrink, 2018) dhe është shfaqur “si një koncept dhe kornizë teorike e rëndësishme për shqyrtimin e ndërveprimit mes medias, kulturës dhe shoqërisë” (Hepp & Hjarvard, 2015: 2), sepse sot pothuajse çdo sektor është mediatizuar, përfshirë  mjekësinë, shkencën, muzika, identiteti, shëndeti, lufta, performanca, marrëdhëniet intime, konsumi, kujtesa, vdekja etj. (Deacon & Stanyer, 2014). 

Por, besimi i informacionit ka rënë, me shfaqjen e mediave sociale dhe daljen e fake news. Në këtë situatë të thellë mediatizimi, që përfshin miliarda aktorë komunikues në mediat dixhitale, edhe gënjeshtrat janë bërë më lehtë të qarkullueshme. Viti 2016 ishte viti në të cilin filloi epoka e ‘post të vërtetës’ (post-truth) (d’Ancona, 2017), ndërsa Fjalori i Oksfordit e shpalli atë si ‘fjalën e vitit’. Populistët demagogë, nga njëra anë, dhe ekspertët e elitës, nga ana tjetër, besojnë se realiteti është i ndryshëm nga ajo që beson shumica e popullsisë (Fuller, 2018). Retorika populiste në epokën e mediave sociale dhe pas të vërtetës prek elitën, e frustron atë dhe dëmton demokracinë (Waisbord, 2018). Në komunikimin online, demagogët populistë marrin më shumë mbështetje, sepse ata duket se janë ‘shumica’ ndryshe nga ekspertët e elitës, ose siç thekson Eco, “media sociale u jep legjioneve të imbecilëve barabarësi për të folur me një fitues të çmimit Nobel” (Eco, 2015).

Puna e gazetarëve është dinamizuar, parcializuar, ndërsa edhe ata bëjnë brendin e tyre personal në mediat sociale (Brems et al., 2017). Në këtë shoqëri të rrjetëzuar (Castells, 2009) dhe infosferës (Floridi, 2014), rrëfimet dhe tregimet janë në qendër të identitetit dhe imazhit të individit, por edhe të organizatës dhe shtetit (Lepore, 2019), veçanërisht në mediat sociale.  

Qëllimi i kësaj konference është që të bëjë bashkë studentët e Kolegjit AAB në Prishtinë dhe të Universitetit të Tiranës (Departamenti i Gazetarisë dhe Komunikimit) si dhe të gjithë studentët e  institucioneve të tjera arsimore që janë të interesuar për të marrë pjesë në këtë konferencë studentore të nivelit master.

Për këtë arsye, ftohen studentët e gazetarisë, marrëdhënieve me publikun, shkenca politike diplomaci, komunikime ndërkulturore etj., që të marrin pjesë në këtë konferencë studentore, duke u përqendruar në temat e mëposhtme, por jo vetëm:

  • Transformimet në komunikimet tradicionale
  • Marketingu politik në kohën e shumësisë së mediave 
  • Rrjetet sociale në jetën e përditshme 
  • Marrëdhëniet me publikun në epokën digjitale 
  • Marrëdhëniet me publikun në epokën e mediave sociale 
  • Përditshmëria online 
  • Edukim mediatik: konsumimi mediatik në kohën e bombardimit mediatik
  • Agenda setting në epokën digjitale 
  • Hapësira publike online, infosfera 
  • Propaganda dhe fake news 
  • Specifikat e raportimit mediatik në kohën post-truth 
  • Debatet dhe pseudodebatet televizive për zhvillimet në shoqëri: kush flet për luftën në Ukrainë? 
  • Glokalizmi dhe komunikimet ndërkultuore 
  • Analistët (njohësit e thellë) apo opinionistët në televizionet tona (kush për çfarë diskuton)?
  • Televizioni në jetën e përditshme
  • TV si pasqyrë narciste e politikanëve 
  • Rrjetet sociale si hapësirë publike virtuale dhe e krijimit të brendit personal
  • Gjuha e urrejtjes online, raste dhe shembuj 
  • Kur televizionet fshehin duke treguar 
  • Soft power, marrëdhëniet publike ndërkombëtare dhe diplomacia publike në epokën digjitale 
  • Raportimi i gazetarëve në kohë konfliktesh 
  • Imazhi i Kosovës: mbulimi mediatik ndërkombëtar për zhvillimet e brendshme në kohë pandemie
  • Imazhi i Shqipërisë në kohën e përballjes me pandeminë e Covid-19 
  • Specifikat e punës së reporterit në kohën e rrezikut të infektimit  
  • Kontrollimi i fakteve në epokën e mediave sociale 
  • Ekspozimi mediatik si mundësi e PR-it politik në kohë krize
  • Etika dhe privatësia në epokën e mediave sociale 
  • Senzacioni mediatik në epokën e fake news

Komiteti shkencor

Dr. Ardita Reçi 

Prof.. Asst. Dr. Gazmend Abrashi

Dr. Ilire Zajmi

Dr. Kushtrim Koliqi 

Prof.. Asst. Dr. Hasan Saliu 

Dr. Elvin Luku 

Prof. Asst. Dr. Resul Sinani 

Komiteti Organizues

Hasan Saliu

Gazmend Abrashi

Zija Rexhepi 

Taulant Hoti

Të dhëna të rëndësishme:

Dërgimi i abstrakteve (150-200 fjalë): deri më 25 maj 

Të drejtë aplikimi kanë studentët aktualë në nivelin master dhe/ose ata që kanë kryer master 

Dërgimi i përgjigjeve: 30 maj 

Abstraktet e pranuara do të publikohen në Librin e abstrakteve me ISBN

Pjesëmarrësit do të marrin certifikata pjesëmarrjeje në konferencë 

Pagesa e pjesëmarrjes: 20 eu (studentët nga institucionet organizatore, Kolegji AAB, Departamenti i Gazetarisë dhe i Komunikimit, UT, janë të liruar nga pagesa)  

Data e konferencës: 11 qershor, nga ora 11:00.

Kohëzgjatja e një referuesi: 10-15 min

Email: [email protected]

Pjesëmarrësit do të marrin udhëzime të tjera nëpërmjet emailit.

Udhëzime për shkrimin e abstrakteve

Titulli i punimit, mundësisht jo më shumë se 12-13 fjalë

Titulli, Emër e Mbiemër
Institucioni XY, vendi
email: [email protected]

Abstrakt
Abstrakti është kryesisht një paragraf i vetëm i cili përmbledh çështjet thelbësore të një studimi,  në 150-200 fjalë. Rekomandohet që abstrakti të përmbajë shkurtimisht: a. Hyrje-përshkrim i shkurtër i sfondit të kërkimit; b. Qëllimet: përshkrim i shkurtër çfarë dëshironi të arrini; c. Metodat/procedurat; d. Rezultatet/gjetjet; e. Përfundime/implikime. Të gjitha këto në një tekst harmonik – koherent. Abstrakti është kryesisht një paragraf i vetëm i cili përmbledh çështjet thelbësore të një studimi,  në 150-200 fjalë. Rekomandohet që abstrakti të përmbajë shkurtimisht: a. Hyrje-përshkrim i shkurtër i sfondit të kërkimit; b. Qëllimet: përshkrim i shkurtër çfarë dëshironi të arrini; c. Metodat/procedurat; d. Rezultatet/gjetjet; e. Përfundime/implikime. Të gjitha këto në një tekst harmonik – koherent. Abstrakti është kryesisht një paragraf i vetëm i cili përmbledh çështjet thelbësore të një studimi,  në 150-200 fjalë. Rekomandohet që abstrakti të përmbajë shkurtimisht: a. Hyrje-përshkrim i shkurtër i sfondit të kërkimit; b. Qëllimet: përshkrim i shkurtër çfarë dëshironi të arrini; c. Metodat/procedurat; d. Rezultatet/gjetjet; e. Përfundime/implikime. Të gjitha këto në një tekst harmonik – koherent. Abstrakti është kryesisht një paragraf i vetëm i cili përmbledh çështjet thelbësore të një studimi,  në 150-200 fjalë.

 

Fjalë kyç: rrjete sociale, reklamë, komunikim asiemtrik, media të reja, konsumator. (5-6 fjalë kyç)