Konferenca Rajonale për Hapësirën Mësimore në Arsim

Prishtinë: 21.10.2022 - 22.10.2022

Tipi:

Organizator:

Kolegji AAB

Pandemia e fundit e Covid-19 i ka katapultuar hapësirat e mësimdhënies dhe të të nxënit në arsim në plan të parë të shërbimeve arsimore në tërë globin. Qindra miliona nxënës e studentë në të gjitha nivelet e arsimit janë detyruar të lidhen në internet për të ndjekur mësimin. Hapësirat mësimore, përkatësisht koncepti i mjedisit mësimor, u zgjerua në sferën virtuale për të fituar kuptime dhe rregullime të reja për aplikim më të mirë në rrethanat e reja. Kjo bëri të ndryshojë edhe roli i të gjithë faktorëve të tjerë në procesin arsimor; në thelb ndryshoi roli i mësuesve, prindërve, studentëve, shkollave, shtëpive, teksteve shkollore, burimeve të mësimdhënies dhe të të nxënit, roli i autoriteteve arsimore e të tjera. Fokusi i praktikave arsimore u zhvendos pjesërisht nga shkollat, mësuesit dhe tekstet shkollore për të përfshirë në mënyrë më aktive shtëpitë, hapësirën mësimore, burimet virtuale të mësimit dhe prindërit.

Vlen të theksohet se mësimi në internet dhe në distancë dhe mjedisi i të mësuarit virtual nuk mund të konsiderohen risi – ato kanë ekzistuar për dekada, madje edhe para ardhjes së mediave elektronike dhe internetit së fundmi. Megjithatë, ndryshimi i paradigmës në hapësirën e mësimdhënies dhe të të nxënit në arsim, që erdhi si rezultat i Covid-19, shtyu më fort në plan të parë përparimet teknologjike në fushën e teknologjive kompjuterike dhe të internetit. Si rezultat, gjithnjë e më shpesh dëgjojmë për normalitetin e ri pas Covid-19, të vetëdijshëm se nuk mund të ketë kthim në paradigmat, të kuptuarit dhe praktikat e para Covid-19, jo vetëm në arsim.

Ndryshimet marramendëse që kanë rezultuar nga avancimet teknologjike në formën e mediave sociale, rrjeteve online, platformave dhe aplikacioneve të komunikimit, realitetit virtual e kështu me radhë, janë reflektuar gjithashtu në sferat psikologjike, sociale dhe kulturore. Përderisa avancimet teknologjike kanë shërbyer për të bashkuar njerëzit anekënd globit, ato në të njëjtën kohë duket se na kanë izoluar nga njerëzit përreth nesh.

Arsimi nuk bën përjashtim në këtë drejtim: ka pasur një ndryshim thelbësor në cilësinë e ndërveprimit në sektorin e arsimit në të gjitha nivelet. Shumë universitete po mendojnë të kalojnë përgjithmonë online; një nga kualifikimet kryesore për një mësues në ditët e sotme është aftësia për të zbatuar mësimdhënie online; platformat online në arsim po marrin funksione të rëndësishme të sistemeve arsimore në aspektin e monitorimit, vlerësimit të nxënësve / studentëve, sigurimit të mjeteve materiale e të tjera. Zhvillimet dhe ndryshimet kryesore megjithatë kanë ndodhur në kurrikulat shkollore dhe në ato të arsimit të lartë, të pasqyruara në metodologjitë e mësimdhënies dhe të të nxënit, në tekstet shkollore dhe në burimet e mësimdhënies.

Në këtë kontekst më të gjerë, është bërë jetike rishikimi i parimeve, politikave dhe qasjeve në fushën e hapësirës së mësimdhënies dhe të të nxënit në arsim, për të ndërtuar një të kuptuar të ri të mjedisit mësimor dhe për të gjetur mënyra për një përafrim më organik të hapësirave mësimore dhe kurrikulave në të gjitha nivelet e arsimit.

Thirrje për punime shkencore

Konferenca Akademike Rajonale për Hapësirat Mësimore në Arsim, që do të organizohet më 21-22 tetor në Prishtinë, Kosovë, është një mundësi për prezantimin e përparimeve dhe rezultateve të reja kërkimore në teorinë dhe praktikën e hapësirave mësimore në arsim.

Kjo konferencë synon të sigurojë një platformë ndërkombëtare për akademikët, studiuesit dhe studentët që të prezantojnë dhe shkëmbejnë gjetjet e tyre kërkimore në fushën e rëndësishme të hapësirave mësimore në një pikë kthese të aktualizuar nga avancimi teknologjik dhe pandemia Kovid-19. Përveç abstrakteve dhe prezantimeve të dorëzuara, të gjitha punimet e dorëzuara do të vlerësohen për origjinalitetin, thellësinë e kërkimit, saktësinë dhe rëndësinë me temën dhe temat e konferencës.

Folësit kryesorë të konferencës:

Pablo Campos Calvo-Sotelo, Spanjë

Vania Carlos, Universiteti i Aveiros, Portugali

Justyna Bugaj, Universiti Jagellionski, Poloni 

Theodor Leiber, Evalag, Gjermani   

James Williams, Universiteti i Birmingemit, BM  

Bardhyl Musai, Universiteti i Tiranës, Shqipëri 

Një folës kryesor nga Maqedoni Veriore 

Temat për artikujt shkencorë

  • Kjo thirrje për punime shkencore kërkon prezantime të lidhura (por jo të kufizuara) me temat e mëposhtme:– Arsimi parauniversitar:

    Kuadri ligjor dhe politikat në hapësirën e mësimdhënies dhe të të nxënit

    Ndikimi i Kovid-19 në të kuptuarit dhe në praktikat e lidhura me hapësirat mësimore në arsim

    Përshtatja e kurrikulave dhe e hapësirave mësimore si rezultat i zhvillimeve në fushën e teknologjisë dhe të komunikimit.

    Të kuptuarit e ri të hapësirave mësimore për nxënësit me aftësi të kufizuara dhe për nxënësit me nevoja të veçanta arsimore

    Sigurimi i cilësisë dhe mësimi online në arsimin parauniversitar

    Ndryshimi i rolit të prindërve në mësimin online në arsimin parashkollor

    – Arsimi i lartë

    Hapësirat mësimore në arsimin e lartë

    Kuadri ligjor politikat në hapësirat mësimore në arsimin e lartë

    Përshtatja e hapësirave mësimore dhe i kurrikulave në arsimin e lartë në kontekstin e globalizimit dhe pandemisë Covid-19.

    Praktikat e mira në fushën e hapësirave mësimore në arsimin e lartë në rajon, në Evropë dhe më gjerë.

    Zhvillimi njerëzor dhe hapësirat mësimore në arsimin e lartë.

    Roli i hapësirave mësimore në sigurimin e cilësisë në arsimin e lartë

    – Dixhitalizimi i arsimit

    Qëndrueshmëria e mësimit online në arsimin parauniversitar dhe të lartë

    Institucionet virtuale të arsimit të lartë

    Platformat e mësimit në internet (në nivel institucional dhe kombëtar)

    Mësimi online dhe ndryshimi i roleve të faktorëve të edukimit: mësuesit, prindërit, studentët, komuniteti, autoritetet, shkollat, tekstet shkollore, etj.

    Ndërkombëtarizimi i arsimit të lartë dhe i mësimit online

    Sigurimi i cilësisë në arsimin e lartë dhe në mësimin online

    Kurrikula online në arsim apo ofrim online i të njëjtave kurrikula.

    Akreditimi i programeve të mësimit online

    Do të merren parasysh edhe tema të tjera të ndërlidhura.

     

    Abstraktet e dorëzuara do të vlerësohen nga Komiteti Shkencor. Nëse abstrakti pranohet, autori do të dërgojë një prezantim në power-point, duke përfshirë elementët kryesorë të kërkimit (teoria, metodologjia, rezultatet, përfundimet dhe referenca). Të gjitha paraqitjet duhet të raportojnë rezultatet kërkimore origjinale dhe të pabotuara më parë. Punimet me tekst të plotë (.docx dhe .doc) pranohen gjithashtu nga Komiteti Shkencor për botim në Revistën e Kolegjit AAB “Thesis”. Dorëshkrimet e plota duhet të plotësojnë kushtet e formatit të përcaktuara nga Komiteti Shkencor i Kolegjit AAB dhe i nënshtrohen vlerësimit të dyfishtë.

    – Për më shumë informata rreth konferencës, jeni të mirëpritur të kontaktoni Komitetin Organizativ drejtpërdrejt përmes email adresës: 

    [email protected]

Data të rëndësishme

  • Afati i dorëzimit të abstrakteve: 15 korrik 2022
  • Afati i dorëzimit të prezantimeve: 31 gusht 2022
  • Afati i regjistrimit të hershëm: 30 shtator 2022
  • Afati i vonuar i regjistrimit: 15 tetor 2022
  • Datat e konferencës: 21-22 tetor 2022
  • Afati i fundit për dorëzimin e punimeve: 15 nëntor 2022

Punimet të dërgohen përmes email adresës: [email protected]

Mirëpresim prezantimet, punimet, dhe pjesëmarrjen tuaj dhe të kolegëve tuaj në Konferencë.