Siguria, paqja dhe zhvillimi i qëndrueshëm në botën e trazuar
Prishtinë: 12.09.2024 - 12.09.2024
Tipi: Konferencë shkencore ndërkombëtare
Organizatorë:
Fakulteti i Administratës Publike, Fakulteti Juridik dhe Fakulteti Ekonomik , Kolegji AAB
në Partneritet me:
Agresioni i Rusisë në Ukrainë përveçse riktheu luftën në Evropë, dëshmoi sërish pafuqinë e ruajtjes së paqes nga OKB dhe ngjalli frikë dhe pasiguri në vendet fqinje të Ukrainës, të cilat disa prej tyre janë anëtare edhe të NATO-s. Ky agresion dëshmoi gjithashtu se Europa nuk mund të ketë më frikë nga “Ushtria e Kuqe”, por vetëm nga atomi rus. Përveç shkeljes së të drejtës ndërkombëtare, me sulmin e ndërrmarrë nga Rusia duke pushtuar një pjesë të konsiderushme të territorit të një shteti sovran, agresioni rus mbi Ukrainë duhet të konsiderohet si një nga demonstrimet më të fundit dhe më relevante në lidhje me efektet e gjera të konflikteve të armatosura në ekonomitë globale dhe tregjet financiare (Pisera et al., 2024). Nga veprimet ushtarake ruse, Evropa Perëndrimore vendosi sanskone, por njëherësh kjo e gjeti të papërgatitur edhe vetë perendimin sa i përket sigurimit të resurseve energjetike, e veçanërisht gazit, ndërsa vendet e Vishegradit (Çeki, Hungari, Poloni dhe Slovaki) që ishin thellësisht të varura nga energjia ruse, rivlerësuan pozicionin e tyre gjepolitik dhe energjetik (Zuk et al., 2023). Gjermania ndërkaq që ishte rehatuar me dekada nga përfitimet energjetike ruse, u gjind para një situate që perceptohet gjerësisht si një “Zeitenwende”, një moment i rëndë mosbesimi ndaj politikës së jashtme gjermane dhe te sigurisë në raport me Rusinë (Bunde, 2022).
Ekonomia ndërkaq, shënoi krizën më të madhe financiare në një rritje të shpejtë të inflacionit, i cili ndikoi në një rritje enorme të çmimeve të të gjitha produkteve, uli mirëqenien dhe rriti koston e jetesës. Agresioni rus në Ukrainë i shtyu shtetet të adoptojnë qasje më të zjarrta gjeopolitike/ekonomike për të mbrojtur industritë e tyre me rëndësi sistemike dhe për të reduktuar varësinë nga vendet e treta (Goghie, 2024). Andaj, ky agresion ndikoi mjaft shumë edhe në vendet e Ballkanit Perëndimor, edhe pse me një ekonomi jo të zhvilluar, sepse mirëqenia qytetare ka tani një kosto mjaft të papërballueshme dhe qeveritë e këtyre vendeve duhet të ndërmarrin të gjitha masat antiinflacioniste në mënyrë që të kenë një stabilitet financiar dhe buxhetor në ekonomitë e tyre.
Administratat e vendeve europiane kanë pasur një rol të rëndësishëm në përballimin e krizës së shkaktuar nga agresioni rus. Ato kanë qenë thelbësore në zbatimin e sanksioneve ekonomike dhe koordinimin e përgjigjeve të përbashkëta me partnerët ndërkombëtarë.
Lufta Israel-Gaza në anën tjetër ka prekur ndërgjegjen e studentëve në Europe dhe ShBA, ndërsa Izraeli po sfidon thirrjet dhe vendimet e Gjykatës Ndërkombëtare Penale e cila kërkon arrestimin e liderit të Hamasit dhe kryeministrin Izraelit, ashtu si dhe arrestimin e Putinit për krimet në Ukrainë. Disa vende europiane njohën shtetit e Palestinës, ndërsa sfida e drejtësisë ndërkombëtare mbetet se kur do të mund të dalin para drejtësisë ndërkombëtare të akuzuarit për krime.
Ndërkaq, rajoni i Ballkanit në Europë mbetet gjithashtu një vend i trazuar ku autoritari Dodik kërcënon Paqen e Deytonit dhe Serbia që heziton marrëveshje me Kosovën, ndërsa Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi rezolutën që e shpall 11 korrikun Ditë Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit në Srebrenicë, duke njohur kështu krimet e kryera serbe në Bosnjë. Ndërsa, në vetë vendet e Ballkanit Perëndimor kemi një rritje të autoritarizmit (Bieber, 2020); Moska në vazhdimësi bën përpjekje ta mbajë këtë rajon ndërmjet BE-së dhe Rusisë (Panagiotou, 2021) dhe Serbia mbetet i vetmi vend i rajonit që jo vetëm që nuk i ka vënë sanksione Rusisë për shkak të agresionit ndaj Ukrainës, por madje ka forcuar lidhjet strategjike me Moskën. Sipas Këshillit Rus për Çështje Ndërkombëtare, parimet kryesore të politikës së jashtme ruse janë që Moska të pengojë sa më shumë zgjerimin e NATO-s në Ballkan, ta ruajë Ballkanin si një kartë eventuale për negociata me Brukselin dhe, Rusia të mbetet fuqi dhe të ruajë idenë e vëllazërisë sllave dhe unitetin fetar (Entina & Pivovarenko 2019; Panagiotou, 2021).
Mosmarrëveshjet në Ballkan nuk janë zgjidhur përfundimisht. Kosova dhe Serbia vazhdojnë pambarim bisedimet ende të pafrytshme, ndërsa Maqedonia e Veriut mbetet ende e stagnuar për tensionet e brendshme identitare në raport me Bullagrinë. Qeveria dhe presidentja e re e dalë nga zgjedhjet e fundit atje, deklarativisht kanë sfiduar marrëveshjet e deritanishme me Greqinë dhe kanë shprehur një ngurtësi për përmbylljen e kontestit me Bullgarinë në procesin e përafërimit me BE-në.
Kosova, e cila ende nuk është njohur nga të gjitha vendet e BE-së, tani lëviz pa viza, por ende mbetet larg integrimit në BE, edhe për shkak të pengesave serbe.
Prandaj, qëllimi i kësaj konference është të bëjë bashkë studiuesit, politikëbërësit dhe profesionistët nga fusha e marrëdhënieve ndërkombëtare, të drejtës ndërkombëtare, ekonomisë dhe fushave të afërta me to, për të analizuar sfidat e sigurisë, drejtësië dhe qëndrueshmërisë ekonomike në një botë të trazuar. Prandaj ftojmë të interesuarit të dërgojnë abstrakt me problematikat e mësipërme dhe tematikat e mëposhtme, por duke mos u kufizuar vetëm në to:
- Drejtësia ndërkombëtare në një botë konfliktuoze;
- Krimet kundër njerëzimit në shekullin 21, sfida dhe specifika;
- Inflacioni dhe vështirësimi i mirëqenies pas agresionit rus;
- Sfidat e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik në rajon;
- Masat qeveritare për zbutjen e inflacionit;
- Rëndësia e rezervave buxhetore në kohë krizash;
- Inflacioni dhe vështirësimi i mirëqenies pas agresionit rus;
- Sfidat e zhvillimit të qëndrueshëm në rajon;
- Maqedonia e Veriut mes krizës së identitetit, problemeve fqinjësore dhe BE-së;
- Shqipëria dhe Kosova si faktor stabiliteti në rajon;
- Sfidat me fuqinë punëtore në Ballkan pas heqjes së vizave;
- Dezinformimi dhe lufta hibride;
- Teknologjite në zhvillim dhe implikimet në siguri;
- Ndryshimet gjeostrategjike dhe siguria globale;
- Dinamikat e sigurisë rajonale;
- E Drejta Penale Ndërkombëtare dhe përgjegjësia;
- Rikonceptualizimi i sigurisë kolektive në Europë;
- Siguria apo Drejtësia, relacioni prevalent ,si refleksion i luftes në Ukrainë;
- Negociatat e paqes dhe zgjidhja e konflikteve;
- Dinamikat politike dhe ndryshimet ideologjike ne Evropë;
- Paqja dhe ndërmjetësimi në konfliktet e brendshme dhe ndërkombëtare
- Politikat e emigrimit dhe ndikimi i tyre në stabilitetin rajonal;
- Reforma në sistemet e drejtësisë për sigurimin e barazisë dhe drejtësisë sociale;
- Politikat publike për parandalimin e krimit dhe rritjen e sigurisë publike:
- Sfidat e sigurisë kibernetike;
- Paqja dhe siguria në rajonin e Ballkanit;
- Pajtimi dhe ndërtimi i paqes pas konflikteve: praktikat dhe përvojat e administratave publike
- Administrata publike dhe sfidat e euroskepticizmit në Ballkanin Perëndimor
Folës kryesor
Professor Edward P Joseph, Johns Hopkins University, Washington, USA
Stability and conflict resolution in the Balkans, specifically for relations between Kosovo and Serbia
Komiteti shkencor
- Prof. Ass. Dr. Mentor Lecaj, Kolegji AAB
- Prof. Ass. Dr. Vrullim Buja, Kolegji AAB
- Prof. Ass. Dr. Medain Hashani, Kolegji AAB
- Erjon Hitaj, PhD, Universiteti Vlorës”Ismail Qemali”
- Prof. Asoc. Dr. Hasan Saliu, Kolegji AAB
- Albana Metaj-Stojanova PhD, (docent), Universiteti i Evropës Juglindore
- Prof. Asoc. Dr. Bashkim Rrahmani, Kolegji AAB
- Prof. Asoc. Dr. Besime Ziberi, Kolegji AAB
Komiteti organizues
- Prof. Asoc. Dr. Hasan Saliu, Kolegji AAB
- Prof. Ass. Dr. Vrullim Buja, Kolegji AAB
- Prof. Ass. Dr. Medain Hashani, Kolegji AAB
- Prof. Dr. Adnan Jashari, Universiteti i Evropës Juglindore
- Prof. Ass. Dr. Mentor Lecaj, Kolegji AAB
- Erjon Hitaj, PhD, Universiteti Vlorës “Ismail Qemali”
- Prof. Ass. Dr. Fatmir Qollakaj, Kolegji AAB
- Albulena Brestovci, PhD Cand., Kolegji AAB
- Qëndresa Kukaj, PhD Cand., Kolegji AAB
Data të rëndësishme:
Dërgimi i abstrakteve deri më: 31 korrik
Përgjigja për abstraktet e pranuara: 20 gusht
Mbajtja e konferencës: 12 shtator 2024
Pjesëmarrja: falas
Mënyra e prezantimit: fizikisht dhe online (google meet)
Abstraktet e pranuara do të publikohen në Librin e abstrakteve me ISBN
Punimet e konferencës do të publikohen në Book Of Proceedings (me ISBN) si dhe në revistën Thesis
Email: [email protected]