Sot në Kolegjin AAB në një vizitë ku u bashkëbisedua me studentët dhe stafin qëndruan disa nga përfaqësuesit e parlamentit të Ukrainës si Mykola Davydyuk politolog dhe Shcherbak Tetyana, sekretare e grupit parlamentar. Gjithashtu për vizitë në Kolegjin AAB qëndroi edhe Nenad Canak – kryetar i Institutit për Ballkanin Perëndimor.
Temat e bashkëbisedimit ishin rreth luftës që po zhvillohet në Ukrainë, pastaj ndikimi rus në Ballkanin Perëndimor dhe hapat që duhen ndërmarrë për të jetuar në një botë paqësore dhe pa luftëra.
Davydyuk dhe Tetyana nga Ukraina treguan për momentet e vështira që kanë kaluar derisa vazhdojnë sulmet nga Rusia, duke shtuar se Kosova bashkëndjen me ta bazuar në të kaluarën që ka pasur.
Canak nga Instituti për Ballkanin Perëndimor foli rreth qëndrimeve të Serbisë ndaj Rusisë dhe Kosovës, ndërsa përmendi edhe përpjekjet nga ana e tij se duhet të njihet e vërteta dhe shtetet fqinje janë të obliguara të mbajnë raporte të mira mes vete.
Studentët patën rastin të parashtrojnë pyetjet e tyre për të gjithë të ftuarit, për të ndarë përjetimet e tyre dhe për t’u njohur me progresin që mund të jetë shënuar në mënyrë që me bashkëmoshatarët e tyre nga shtetet tjera të Ballkanit Perëndimor ta kenë në rend të parë prosperitetin dhe mirëkuptimin mes njëri tjetrit.