Diplomati Llesh Kola promovon librin “100 vjet me Shqipërinë” në Kolegjin AAB

16 Dhjetor 2022

Ish ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Itali, diplomati Llesh Kola ka promovuar librin e tij “100 vjet me Shqipërinë” në Teatrin Kamertal të Kolegjit AAB. Libri që flet për marrëdhëniet e Shqipërisë me SHBA-të nga viti 1880-1990, është promovuar në një ceremoni të organizuar nga Kolegji AAB, në kuadër të aktiviteteve të Klubit të Debatit të Fakultetit të Administratës Publike.

Në këtë ceremoni ishin të ftuar përfaqësues të ambasadave shqiptare si ish ambasadori i Kosovës në Stokholm të Suedisë, Lulzim Peci, ish ambasadori i Kosovës në Itali Albert Prenkaj, kryediplomati shqiptar Edmond Panariti, përfaqësues diplomatik nga Mali i Zi, dhe një numër i madh i studentëve të Kolegjit AAB.

Dekani i Fakultetit të Administratës Publike. Prof. Dr. Petrit Bushi, tha se falë angazhimit nga Klubi i Debatit nga ky fakultet deri tani janë bërë 23 promovime librash, shtoi se ky libër është tejet i veçantë pasi do iu shërbej brezave të rinj, dhe tregon qartë e saktë se çka është diplomacia dhe roli i saj.

Kryetari i Këshillit Drejtues të Kolegjit AAB, Prof. Dr. Lulzim Tafa, vlerësoi faktin që autori Kola ka vendosur ta promovojë librin në Kolegjin AAB, duke thënë se kjo është zgjedhja e duhur pasi edhe studentët kanë mundësinë të jenë pjesë e ngjarjeve të tilla.

Prof. Ass. Dr. Donik Sallova, bëri një analizë të shkurtër të librit, ndërsa tha se promovimi vjen pikërisht në 100 vjetorin e raporteve Shqipëri-SHBA, që evidenton shpresën e shqiptarëve te Amerika, dhe kjo do u mundësoj lexuesve e studiuesve të shohin evoluimin e marrëdhënieve nga këndvështrimi i diplomacisë amerikane.

Ambasadori i parë i Kosovës në SHBA, Avni Spahiu u shpreh i nderuar të flasë për një libër kaq të veçantë, sepse është një trajtim i marrëdhënieve shqiptaro-amerikane që paraqet një vepër që mbulon rrallësinë studimore të këtyre raporteve, në publicistikën dhe historiografinë shqiptare.

Kolegji AAB do vazhdoj bashkëpunimet me kryediplomatët shqiptarë, duke promovuar në vazhdimësi projekte, ide dhe të reja nga ta.

Share: