Kolegji AAB mban Ceremoninë e Diplomimit, mbrëmja ku shpërblehet përkushtimi i studentëve

8 Shtator 2025

Në një atmosferë solemne e madhështore, Kolegji AAB, institucioni lider i arsimit të lartë, organizoi ceremoninë e diplomimit të gjeneratës 2022/2023, duke kurorëzuar njëkohësisht edhe 25 vite të historisë së tij të suksesshme.

Ceremonia mblodhi qindra të diplomuar, prindër, familjarë, dekanë, profesorë dhe personalitete të jetës publike, duke u shndërruar në një festë të vërtetë të dijes dhe arritjeve akademike. Çdo student u prit në skenë, nën duartrokitjet e fuqishme të sallës, duke përjetuar emocionin e shpërblimit pas viteve të përkushtimit e punës së palodhshme.

Në hapje të ceremonisë, Rektori i Kolegjit AAB, Dr. Blerim Olluri, në fjalimin e tij theksoi se diplomimi është jo vetëm fundi i një etape, por fillimi i një udhëtimi të ri, ku secili student duhet të mbajë mbi supe përgjegjësinë e dijes së fituar. Ai uroi studentët që të jenë liderë të së ardhmes, ambasadorë të dijes dhe përfaqësues të denjë të AAB-së në Kosovë dhe në botë.

Ngjarjen e nderoi me praninë e saj edhe Sh.S.Atifete Jahjaga, Presidentja e katërt e Republikës së Kosovës, e cila mbajti një fjalim motivues. Ajo i inkurajoi studentët që të ecin përpara me guxim, integritet dhe besim në vetvete, duke qenë gjenerata që sjell ndryshime pozitive në shoqëri. Fjalët e saj u pritën me duartrokitje, duke u bërë një burim frymëzimi për të rinjtë.

Kjo ceremoni festive shënon një moment të rëndësishëm për Kolegjin AAB, meqë këtë vit festohen 25 vite nga themelimi, një çerek shekulli i mbushur me suksese, inovacione akademike, ndërkombëtarizim dhe lidership në arsimin e lartë në Kosovë. Gjatë këtyre viteve, AAB ka ndërtuar reputacionin e një qendre të fortë të dijes, kulturës dhe zhvillimit shoqëror, duke u bërë zgjedhja e parë e mijëra studentëve.

Ceremonia madhështore e diplomimit të gjeneratës 2022/2023 nuk ishte thjesht një ditë feste, ajo ishte një premtim për të ardhmen. Një premtim se Kolegji AAB do të vazhdojë të jetë dritare e dijes, inovacionit dhe mundësive, duke e forcuar pozitën e tij si institucioni më i fuqishëm jo publik i arsimit të lartë në Kosovë dhe rajon.

Share: