Diplomon gjenerata e parë në Programin Ekzekutiv “Dizajn i Brendshëm dhe Inovacion i Produktit”

27 Qershor 2024

Është mbajtur ceremonia e diplomimit të gjeneratës së parë në Programin Ekzekutiv në Dizajn të Brendshëm dhe Inovacion të Produkteve, i zhvilluar nga profesorët e Kolegjit AAB në bashkëpunim me Universitetin e Bolonjës, Shehu Academy dhe mbështetur nga Usaid Kosovo Compete Activity.

Fjalën hyrëse në këtë ceremoni e pati prorektorja e Kolegjit AAB Venera Llunji, e cila falënderoi të gjithë kontribuesit në këtë program, ndërsa për të diplomuarit tha se kjo ngjarje shënon fillimin e një kapitulli të ri.

“Për të diplomuarit, kjo ngjarje shënon jo vetëm fundin e një rrugëtimi, por fillimin e një kapitulli të ri të mbushur me mundësi. Të përgatitur me një kombinim të punës teorike dhe akademike dhe ekspertizës praktike, ju jeni gati të jepni kontribut të rëndësishëm në industrinë e përpunimit të drurit jo vetëm në Kosovë por edhe më gjerë. Përkushtimi, qëndrueshmëria dhe kreativiteti juaj gjatë gjithë këtij programi kanë bërë që ne të kemi besim se do të vazhdoni të shkëlqeni dhe t’i frymëzoni edhe të tjerët për zhvillim profesional”, tha Llunji.

Drejtori i projektit nga USAID Kosovo Compete Activity, Skender Rama, falënderoi të pranishmit duke shtuar se industria e drurit është një ndër industritë më të suksesshme në Kosovë dhe ka shënuar rritje të dukshme, andaj për këtë nevojitet fuqi punëtore e kualifikuar dhe e aftë për tregun e punës.

“Duke marrë parasysh këtë zhvillim të industrisë USAID ka përkrahur këtë program, të cilin kemi arritur të gjithë së bashku ta realizojmë me sukses. Të diplomuarit janë shembull për gjeneratat e ardhshme”, shtoi Rama.

Drejtoresha e Zyrës së Projekteve në Kolegjin AAB Ilirjana Geci, e cilësoi si bashkëpunim të suksesshëm zhvillimin e këtij programi, derisa theksoi angazhimin e kësaj zyre për të ruajtur lidhjet e vazhdueshme me industrinë duke përgatitur kuadro konkurruese për tregun e punës.

Virtualisht në këtë ceremoni mori pjesë edhe profesori nga Universiteti i Bolonjës Giuseppe Maino. Ai u shpreh i kënaqur me studentët që kanë përfunduar me sukses programin, i cili sipas tij përbën rëndësi të madhe në ekonominë e vendit.

Kreshnik Shehu nga Shehu Academy, falënderoi stafin e Kolegjit AAB për iniciativën bashkë me partnerët e tjerë të këtij programi.

Gjatë ceremonisë studentët Leutrim Buzhala, Liamra Jusufi dhe Erika Bllaca ndanë eksperiencën e tyre rreth pjesëmarrjes në panairin e njohur “Salone del Mobile Milano”, duke thënë se ishte një përjetim i veçantë që zgjoi kreativitetin e tyre dhe shërbeu si inspirim për të ardhmen.

Në fund prorektorja e Kolegjit AAB Venera Llunji dhe Skender Rama nga USAID Kosovo Compete Activity ndanë certifikatat për 13 studentët e diplomuar dhe uruan ata për suksese të mëtejme në shtegun profesional.

Share: