Editorial

5 Dhjetor 2016

Artikulli me të cilin hapet numri më i ri i revistës Thesis, me ISSN dhe Bord Ndërkombëtar,të Institucionit të arsimit universitar AAB, është një përkthim në shqip nga  origjinali frëngjisht. Punimi i studiuesit të njohur francez të shekullit XX, Raymond Aron, është një studim me interes nga libri voluminoz me titull Etapat e mendimit sociologjik mbi kontributin dhe rolin  sociologjik të filozofit të Shekullit të Iluminizmit, Montesquieu.  Për shkak të gjatësisë që ka ky studim, ai botohet në dy vazhdime, domethënë ai do të përfundojë në numrin e ardhshëm të revistës sonë.

Nga fusha juridike dhe e marrëdhënieve ndërkombëtare, revista ka dy artikuj shkencorë. Autori Samet Dalipi trajton evoluimin e zhvillimeve të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe SHBA-ve në artikullin me titull: Nga të Drejtat e Njeriut te Pavarësia. Ndërkaq, autorja Vjosa Jonuzi-Shala trajton temën e normatizimit penal, me titull: Procesi i kodifikimit dhe kodi i ri penal i Republikës së Kosovës.

Nga fusha e komunikimit, revista boton këtë radhë tri tema, të cilat merren me problemet e studimeve të mediave, mediatizimi i shoqërisë dhe  studime të komunikimit masiv ndërkombëtar. Autorja Jonila Godole trajton profesionin e gazetarit me temën Tipologjia e gazetarit shqiptar sot. Me imazhin ndërkombëtar të një vendi, e në veçanti me atë të Kosovës, merret autori Hasan Saliu me temën Imazhi i vendit, aktorët e komunikimit dhe shkëmbimet arsimore. Me krizën aktuale edhe të mediave, veçanërisht të shtypit të shkruar, merret autori Sami Neza, në artikullin e tij me titull Pronësia, shkak i rëndësishëm për krizën e gazetave në Shqipëri. Rritja gjithnjë e më e madhe e ofertave televizive, nga njëra anë, dhe lehtësimi i vazhdueshëm i mesazhit të produktit televiziv, nga ana tjetër, përbëjnë temën e autorëve Vehbi Miftari dhe Donik Sallova, në artikullin: Shoqëria e mediatizuar shqiptare.

Dy artikuj të tjerë trajtojnë tema nga fusha e arsimit. Autorja Venera Llunji trajton temën Sfidat e arsimimit të të rriturve në Kosovë, ndërsa tema tjetër merret me edukimin sportiv në shkollë, me titull: Njohjet përforcuese dhe njohjet reduktuese si faktorë motivues në arritjet shkollore, nga autorët Anita Zenuni dhe Shemsedin Vehapi.

Tema që përmbyll këtë edicion të revistës merret me problemet urbanistike të kryeqytetit të Kosovës. Ajo titullohet: Integrimi i qytetit të Prishtinës përmes mobilitetit si indikator – rasti i lagjes Kalabria, e autores Elvida Pallaska.

Edhe në këtë numër, Redaksia e revistës ka mbajtur parasysh larminë e punimeve të çështjeve të trajtuara.

Masar Stavileci,
kryeredaktor

Share: