I nderuar lexues, numri i revistës Thesis që keni në dorë, me ISSN dhe Bord Ndërkombëtar, përfshin disa nga punimet e prezantuara në konferencën shkencore ndërkombëtare “Euroshkenca”, e cila u organizua vitin e kaluar në Universitetin AAB. Mbase kjo është dhe shkaku që ky numër të jep përshtypjen e një gjeografie dhe diversiteti të gjerë problemesh.
Sidoqoftë, numri më i ri hapet, si numri paraprak, me vazhdimin e pjesës së dytë dhe të fundit të përkthimit në shqip nga origjinali frëngjisht të studimit mbi kontributin dhe rolin sociologjik të filozofit të iluminizmit, Montesquieu, nga studiuesi i njohur francez i shekullit XX, Raymond Aron nga libri me titull Etapat e mendimit sociologjik.
Nga fusha e psikologjisë, janë katër autorë të cilët trajtojnë së bashku Faktorët e rrezikut dhe viktimizimi i nxënësve të shkollave të mesme, Aliriza Arënliu, Mytaher Haskuka, Kaltrina Kelmendi, Njomza Llullaku.
Revista vazhdon me një artikull nga shkencat politike të Venera Llunjit me titull: Ndikimi i nacionalizmit në vendet në tranzicion: Qëndrimet ndaj nacionalizmit në kulturën politike.
Nga fusha e komunikimeve, autori Rrapo Zguri merret me fotografinë në mediat dhe kanalet e sotme të komunikimit, me titull Çështje etike të fotografisë së medias.
Nga fusha e arsimit, autorja Antoneta Ramaj ka trajtuar Rolin e mësuesit në përfitimin e aftësisë së të shkruarit nga nxënësit.
Autori Hajdin Abazi, në punimin e tij shtron pyetjen nëse shkenca ka një parim bazë.
Punimi i radhës është nga fusha e gjuhësisë. Autorja Orjeta Dushi trajton temën: Termınologji dhe koncepte gjeneratıvıste të frazës.
Nga fusha e ekonomisë kemi artikullin e autorëve Lorik Abdullahu, Vjosa Mullatahiri, Ganimete Podvorica, me titull: Qasja ndaj e-bankimit e ndërmarrjeve vendore.
Ky numër përmbyllet me një punim nga fusha e shkencave të sportit i autorëve Aziz Dujaka dhe Zenel Metaj me titull: Analiza biomekanike e shpejtësisë në kthesën e sllallom te skitarët kulmorë.
Masar Stavileci,
kryeredaktor