Editorial

5 Dhjetor 2016

Artikulli me të cilin hapet numri më i ri i revistës Thesis, me ISSN dhe Bord Ndërkombëtar, të Institucionit të arsimit universitar AAB, është një përkthim në shqip nga origjinali frëngjisht. Punimi i studiuesit të njohur francez të shekullit XX, Raymond Aron, është një studim me interes nga libri voluminoz me titull “Etapat e mendimit sociologjik” mbi kontributin dhe rolin sociologjik të pozitivistit të njohur të shek. XIX, Auguste Comte. Për shkak të gjatësisë që ka ky studim, ai botohet në dy vazhdime, domethënë ai do të përfundojë në numrin e ardhshëm të revistës sonë.
Nga fusha e gjuhësisë revista ka dy artikuj, “Analizë përqasëse e fjalisë së varur kryefjalore në gjuhën shqipe dhe gjuhën angleze” me autore Aida Alla dhe, “Vështrim i shkurtër i parafjalëve të vendit dhe roli i tyre i shenjës” me autor Avni Ismanin.
Më pas vijojnë tre punime nga fusha e komunikimeve. Ibrahim Berisha me punimin “Identiteti personal dhe masskultura” trajton shumësinë e identiteteve në kohën e maskulturës dhe të mediave. “Televizioni dhe ekranizimi i veprës letrare për televizion” është një punim me dy autorë, Mimoza Doko dhe Gazmend Abrashi, ku trajtohet se si vepra letrare bëhet produkt i skenës dhe ekranit. Po nga fusha e komunikimeve, punimi “Matja e Audiencës në Shqipëri – Përpjekje për institucionalizimin e proçesit” me autor Ervin Gocin, trajton një probolemartikë shumë të diskutueshme në shkencat e komunikimit, matjen e audiencës së operatorëve mediatikë.
Revista vazhdon me botimin e dy punimeve nga fusha e ekonomisë, “Sjellja e konsumatorëve ndaj normës së interesit të kredive në Kosovë” me autor Gëzim Shabanin, ndërsa autorja Malva Govori trajton gjendjen e shkëmbimeve tregtare Kosovë-Turqi, në punimin me titull “ Trajtimi i Tregtisë në Shërbime sipas Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë Kosovë-Turqi”.

Nga fusha e psikologjisë vjen punimi me titull “Ngacmimi mes nxënësve të klasave të pesta të shkollës fillore dhe masat parandaluese”, që ka dy autorë, Armen Mustafa dhe Gazmend Tahiraj.
Ky numër i revistës përmbyllet me një artikull nga arkitektura me titull “Arkitektura si shprehje politike- Pasqyrimi i identitetit kombëtar në ndërtesat e ambasadave, Përvoja e Berlinit”, me autore Teuta Jashari-Kajtazi.

Prof. Dr. Masar Stavileci,
kryeredaktor

Share: