Themelimi i Universitetit të Mitrovicës “Isa Boletini” i ka ndihmuar shumë të rinjët e rajonit, mirëpo rrethanat politike kanë bërë që këta studentë të mos mund t’i shfrytëzojnë objektet universitare në veri të qytetit. Si pasojë deri në përfundimin e kampusit të ri universitar studentët dhe profesorët do të vazhdojnë punën pa konvikte dhe pa mensë në objektet e “Trepçës” që janë improvizuar për mësim.
Konviktet dhe mensa e studentëve kanë mbetur në veri të qytetit, ndërsa studentët e Universitetit të Mitrovicës “Isa Boletini” ndjekin ligjëratat në objektet e “Trepçës” në jug. Studentët presin që kushtet e punës të përmirësohen pas përfundimit të kampusit universitar që është në ndërtim e sipër. Kryetari i parlamentit studentor, Alban Fazliu, thotë se mungesa e konvikteve dhe mensës paraqet problem më tepër për studentët që vijnë nga qytetet e tjera dhe që udhëtojnë. Fazliu, tregon se ata si studentë janë mirë të organizuar dhe kanë raporte të mira me menaxhmentin e universitetit. Ndërsa për kushtet e punës thotë se i kuptojnë rrethanat, por presin ditë më të mira. Nga ana tjetër, edhe drejtuesit e universitetit përmendin si sfidë kushtet e punës. Zëdhënësi i Universitetit, Ahmet Jashari, thotë se janë duke bërë përpjekje që të bëjnë çfarë kanë mundësi që të përmirësohen gjërat.
“Edhe ky vit është sfidues duke ditur se aktiviteti mësimor zhvillohet në objekte të përkohshme të ndërmarrjes “Trepça”. Këtu për studentët ofrohen kushte mesatare me që nuk kemi konvikte për ta, por po bëjmë më të mirën e mundshme që t’iu krijojmë kushtet. E kuptojmë shumë mirë që mungesa e konvikteve dhe mensa është diçka që i mungon studentëve”
Gjithashtu Z. Jashari e sheh si zgjidhje të përhershme kampusin e ri që është duke u ndërtuar. Thotë se ai do të ketë 25 mijë metra katrorë dhe do të krijojë kushte komode për studentë.
Në të ardhmen studentët do ta kenë një kampus universitar që do të jetë më i miri, jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon. Është një vend ku Qeveria e Kosovës po investon në mënyrë që të krijojë kushte sa më të mira për studentët.
Universiteti publik i Mitrovicës aktualisht ka 3500 studentë, me të cilët punon një staf prej rreth 200 vetash.
Majlinda Kovaci