Media në Kosovë, jo në shërbim të opinionit publik

22 Mars 2017
Intervistë me Muhamet Jahiri

Gjendja e gazetarisë në Kosovë vazhdon të jetë në nivel jo të kënaqshëm. Organizata, Freedom House, në raportin e fundit për lirinë e medieve e klasifikoi Kosovën si vend pjesërisht të lirë. Gazetarët pa dashjen e tyre iu nënshtrohen politikave të redaksive të tyre, të cilat në disa raste nuk janë në shërbim të opinionit publik. Kryetari i Unionit të Gazetarëve të Kosovës, Muhamet Jahiri, flet për vështirësitë e medieve dhe sfidat e vazhdueshme të një gazetari në Kosovë.  

Si e vlerësoni gjendjen aktuale të gazetarëve në Kosovë?
Gjendja e medieve në Kosovë vazhdon të jetë e brishtë, por megjithatë e qëndrueshme, me shume sfida dhe shumë përpjekje për ta konsoliduar një stabilitet të përgjithshëm. Ne, që i takojmë këtij profesioni, jemi ata që më së shumti i shohim avancimet por edhe ngecjet e këtij pushteti. Një gjë të tille e tregoi edhe raporti i fundit ndërkombëtar, i publikuar nga Freedom House, i cili e klasifikoi Kosovën si një vend “pjesërisht të lirë”. Me gjithë këtë, unë mendoj se janë vendosur bazat e përparimit dhe avancimit të këtij profesioni.

A eshte e cenuar liria e gazetarisë në Kosovë?
Sa i përket cenimit dhe pengimit, por edhe ndërhyrjeve në punët profesionale të gazetarëve dhe medieve, mund të konsiderojmë se pothuajse në vazhdimësi ka tendenca të tilla, por deri me tani nuk kanë arritur, pavarësisht tendencave, që të kenë ndikim. Mund të themi se Republika e Kosovës ka miratuar dhe krijuar ligje që i mbron gazetarët dhe mediet, përmes akteve të larta shtetërore. Kushtetuta e vendit ofron garanci të plotë të shprehjes së lirë dhe medieve.

A ka sot gazetari etike profesionale?
Tashmë Kosova ka kaluar pothuajse fazën emergjente të tranzicionit, dhe si rezultat i kësaj ka fituar edhe një pjekuri mediale në përgjithësi, por edhe profesionale. Tashmë ekzistojnë studime në fushën e medieve, ku gazetarët përgatiten për një raportim sa me profesional, relevant dhe të dobishëm për shoqërinë. Është shënuar progres në ketë drejtim, por pa dyshim se mund të kemi edhe raste ku dikush me dashje mund të mos i respektojë vlerat themelore të së drejtës së informimit profesional.

A keqpërdoret gazetari nga redaksia për interesa të klaneve dhe politikes ditore?
Jo, nuk mendoj se gazetarët keqpërdorën, thjesht ata e reflektojnë përshtatjen e tyre, dhe në këtë mënyrë ata i respektojnë rregullat e pashkruara që i gjejnë, brenda redaksive ku ata veprojnë. Ndonjëherë nga ana e mbikëqyrësve të tyre mund të këtë ndonjë ndërhyrje në tekstet por jo me ndjenjën e keqpërdorimit të gazetarit.

Cilat janë sfidat e vazhdueshme të një gazetari?
Gazetarët kanë shumë sfida, e ndër më të theksuarat është pa qëndrueshmëria e tyre financiare. Shumë mediume punojnë në kushte të vështira ekonomike dhe kjo reflekton edhe në qëndrueshmërinë financiare të gazetarëve, vështirësitë për ta kryer punën në mënyrë më të mirë profesionale. Shumë redaksi nuk ofrojnë kontrata pune për gazetarët, edhe në këtë mënyrë ata nuk ndjejnë as siguri në fushën profesionale të tyre
Intervistoi: Blerta Agushi

Share: